IPK nis intervistimin ndaj katër serbëve të arrestuar ditë më parë në Mitrovicën Veriore

13:00 | 19 Shtator 2024
R J

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka nisur intervistimin e katër serbëve të arrestuar ditë më parë në Mitrovicën Veriore.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka në një përgjigjje për Arbresh.info.

Beka tha se IPK-ja sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar, ku në kuadër të këtij hetimi, hetuesit e IPK-së, kanë filluar grumbullimin e provave materiale.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se  IPK nuk ka pranuar zyrtarisht ndonjë ankesë lidhur me këtë rast. Sidoqoftë , sipas detyrës zyrtare IPK ka filluar një hetim preliminar. Në kuadër të këtij hetimi hetuesit e IPK-së kanë filluar procesin e grumbullimit të informacioneve, dokumenteve dhe shkresave zyrtare lidhur me këtë rast si dhe edhe video-incizime”, tha Beka.

Tutje, ai tha se procesi i intervistimit pritet të përfundoj sot, dhe në bashkëpunim me prokurorin kompetente, do të vendoset për hapa të mëtutjeshme.

“Në kuadër të veprimeve hetimore hetuesit e IPK-së kanë marrë leje nga gjyqtari i procedurës paraprake për intervistimin e katër qytetarëve nga komuniteti serb dhe ky proces i intervistimit pritet të përfundoj sot. Hetuesit e IPK-së në kuadër të këtij hetimi preliminar kanë vendosur kontakte edhe me prokurorin kompetent në bashkëpunim me të cilin do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm”, përfundoi ai.

Ndryshe, katër të rinjtë serbë janë arrestuar natën mes 9 dhe 10 shtatorit në pjesën veriore të Mitrovicës, siç ka thënë policia, pasi dyshohet se kanë fyer dhe sulmuar dy policë në të njëjtën natë në shëtitoren e Mitrovicës./Arbresh.info/

Të ngjashme