CEFTA, ose marrëveshja e re për tregti të lirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ishte një nga temat kryesore të ministerialit të ekonomisë, të martën, 24.09.2024 në Berlin. Robert Habeck, Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë dhe organizatori i takimit, shprehu shpresën se do të gjendet një zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në këtë marrëveshje.
“Sot u fol shumë me Serbinë dhe Kosovën, pasi CEFTA varet nga to. Po përpiqemi të gjejmë një kompromis që të mundësojë përmbylljen e marrëveshjes. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të mbetet i varur nga konflikte rajonale,” tha Habeck pas ministerialit të ekonomisë, të martën (24.09.2024) në Berlin. “Sado i komplikuar të jetë konflikti, është e rëndësishme të tregojmë fleksibilitet për të ecur përpara, përndryshe do të duhet të gjenden zgjidhje alternative”.
Procesi i Berlinit – me apo pa Kosovën?
Takimi në Berlin kishte për qëllim përgatitjen e Samitit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz e ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet përmes CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur. Qëllimi i samitit është përfshirja e Kosovës si shtet i pavarur në një marrëveshje të ngjashme me CEFTA-n, gjë që mund të realizohet vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Kosova tradicionalisht përfaqësohet si shtet dhe me të gjitha simbolet shtëtërore.
Kushti për Kosovën është heqja e bllokadës aktuale ndaj produkteve serbe, e cila është shkelje e parimeve të CEFTA-s.
Manuel Sarrazin, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, kishte paralajmëruar në fillim të shtatorit se, nëse Kosova nuk ndërmerr këtë hap, ajo mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.
I pyetur nga DW se a do të ketë një marrëveshje edhe pa Kosovën, Habeck nuk u përgjigj drejtpërdrejt: “Është thelbësore të mbahen bashkë shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe Kosova është në qendër. Interesi i përbashkët është zhvillimi i një rajoni të integruar, dhe për këtë po punojmë tani”.
Taksë doganore për produktet me energji fosile
Ministeriali i ekonomisë u zhvillua nën moton “Dhjetë vitet e Procesit të Berlinit – Ballkani Perëndimor si zonë ekonomike në rrugën drejt Bashkimit Evropian”. Një nga temat e tij, përveç marrëveshjes së tregtisë së lirë, ishte energjia e ripërtëritshme. Habeck theksoi rëndësinë që produktet që hyjnë në BE të jenë të prodhuara me energji të gjelbër, dhe njoftoi se për mallrat e prodhuara me energji fosile do të vendoset një taksë doganore.
Bashkëpunimi rajonal me rëndësi të madhe
Një tjetër çështje kyçe për zhvillimin ekonomik të rajonit është bashkëpunimi rajonal. Habeck theksoi se Ballkani Perëndimor ka fituar vëmendje si vend investimesh për shkak të afërsisë me Evropën, ndërsa vendet e tjera që ndodhen në luftë kanë humbur interesin e investitorëve. Ai vuri në dukje se tregu i përbashkët rajonal, i cili po përpiqet të krijohet në Ballkanin Perëndimor, është kyç për tërheqjen e investimeve. “Vendet e Ballkanit më vete janë shumë të vogla për të tërhequr shumë investitorë. Prandaj vetëm krijimi i një hapësire të përbashkët e pa barriera do të sjellë investitorët në rajon”, tha Habeck.
Habeck: Kosova të hyjë në CEFTA
Para takimit ministror, në Berlin u mbajt një forum biznesi, ku morën pjesë rreth 250 përfaqësues nga biznesi gjerman dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Ekonomia gjermane ka një interes të madh për zhvillimin ekonomik të rajonit. Në dekadën e fundit, ajo ka hapur mbi 130,000 vende pune të kualifikuara. Tregtia ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është trefishuar dhe në periudhën janar-korrik 2024, volumi tregtar arriti në 10.7 miliardë euro, me një rritje prej 2% krahasuar me vitin e kaluar.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e qeverisë gjermane nga viti 2014 dhe një platformë e përbashkët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian, disa vende të BE-së dhe Britaninë e Madhe që synon të mbështesë afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian./dw
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen
“Kam 90 për qind gjasa që s’do mbijetoj”, zbardhet biseda te...
Turqia shkarkon edhe dy kryetarë kurdë
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Angela Merkel shpreh ‘shqetësim të madh’ për rolin e Elon Mu...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...