48 vjeçari që u vra dhe u djeg në veturën e tij në Skenderaj, ishte dëshmitar i vrasjes së një polici

15:31 | 9 Prill 2019
L G

Taksisti nga Skenderaj, Ilir Zeqiri, që u vra dhe u dogj brenda veturës së tij, një natë më parë në fshatin Rezallë, kishte qenë dëshmitar në rastin e vrasjes së policit Valon Goxhuli, që kishte ndodhur në shtator të vitit 2015.

Dëshminë e tij, Ilir Zeqiri e kishte dhënë më 31 janar 2018 në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Pesë muaj pas, e njëjta gjykatë kishte dënuar me 21 vjet burgim unik për “vrasje të rëndë” Maliq Biringjikun, shkruan Reporteri.net.

Ilir Zeqiri, si dëshmitar në këtë rast kishte deklaruar se në ditën kur ka ndodh ngjarja, ai ka qenë duke punuar si taksist në afërsi të vendit ku ishte vrarë Valon Goxhuli, që sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykata ndodhi për motive hakmarrjeje.

Ai para gjykatës kishte dëshmuar se pasi që i kanë dëgjuar të shtënat, që sipas tij kanë qenë të njëpasnjëshme, ishte afruar dhe kishte parë dy persona të plagosur, njërin përmbys jashtë veturës dhe tjetrin brenda në veturë.

Më pas, ai kishte shpjeguar ngjarjen që kishte parë dhe kishte treguar se afër veturës së tij kishte qenë edhe një femër, e cila sipas tij kishte bërtitur dhe kishte qarë duke thënë “o kuku e vrajtën”.

Tutje, Ilir Zeqiri, që të hënën mbrëmje u vra tragjikisht në Rrëzallë të Skenderajt, kishte përshkruar veturën e tipit “Ford”, ngjyrë hiri, ta ketë parë duke u larguar nga vendi ku ishte vrarë polici Valon Goxhuli, më 29 shtator 2015.

Ai para gjykatës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Njazi Rexha, kishte thënë se i kujtohej se nga kjo veturë e ka parë një person, që e kishte përshkruar të moshës së rreth dyzetave, me mjekër dhe kapele, që gjatë largimit të veturës kishte shtënë edhe një herë përpjetë me armë.

E i njëjti prokuror, tash si prokuror kujdestar po heton një tjetër vrasje. Viktimë kësaj here është vetë Ilir Zeqiri, taksisti nga Skenderaj veteran i luftës, shkruan Reporteri.net. Kontakti më të, të martën ka qenë i pamundur.

Zeqiri u gjet i djegur të hënën në mbrëmje, brenda veturës së tij të tipit “Passat”, në fshatin Rezallë të Skenderajt.

Mëngjesin e të martës, Policia e Kosovës njoftoi për këtë rast, duke thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe pesë gëzhoja të armës së zjarrit, çka bën që rasti të cilësohet se “vrasje e rëndë”.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës. Marrë parasysh të gjeturat fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet tjera rrethanore, sipas prokurorit të rastit hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘vrasje e rëndë’. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thekson Policia në njoftimin e saj.

Viktima Ilir Zeqirit nga Kopiliqi i Epërm i Skenderajt, përveç që kishte qenë vetë veteran i luftës, ishte edhe vëlla i dëshmorit Gazmend Zeqiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme