432 raste aktive me Covid-19 në Kosovë

08:08 | 13 Qershor 2020
Arbresh.info

Mbrëmë janë konfirmuar 58 raste të reja me COVID-19. Rastet pozitive janë nga Fushë Kosova, Prishtina, Mitrovica, Vushtrria, Prizreni dhe Rahoveci.

Me këtë shifër, numri i rasteve me këtë sëmundje në vend ka shkuar në 1 mijë e 384. Prej tyre, raste aktive janë 432, raporton Express.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka bërë me dije se në javën e fundit ka shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private.

Sipas këtij institucioni, pakujdesia mund të shtojë rrezikun e përhapjes.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rekomanduar që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme