Duke i parë qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti, nuk pritet që edhe takimi i dytë i nivelit të lartë të dialogut me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të sjell ndonjë rezultat konkret.
Të paktën të pashpresë në këtë aspekt janë ata që merren me çështjet politike në vend.
Në një prononcim për arbresh.info, gazetari Zekirja Shabani, thotë se veprimet e deritanishme të Kurtit kanë shfaqur më tepër sinjale të zvarritjes së këtij procesi.
“Veprimet e deritashme të kryeministrit Kurti kanë shfaqur më tepër sinjale të zvarritjes së procesit të dialogut që prolongon edhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Nuk kemi një qëndrim të qartë të Qeverisë së Kosovës në lidhje me dialogun dhe marrëveshjen e mundshme Kosovë-Serbi. Prandaj edhe nuk pres ndonjë dakordim mes palëve në takimin e radhës”, ka deklaruar Shabani.
Skeptik me këta aktor është edhe njohësi i çështjeve politike, Fatmir Sheholli.
Ai vlerëson se metoda e Kurtit për të ndryshuar themelet e dialogut është e gabuar.
“Konsideroj që kryeministri Kurti me qasjen e tij po bënë përpjekje të ndryshojë themelet e dialogut duke u përpjekur që Vuçiqin ta sjellë në situata të palakmueshme duke ja përmendur vazhdimisht krimet serbe në Kosovë, vrasjet e tre vëllezerve Bytyqi dhe shumë çështje tjera. Megjithatë, jam shumë skeptik që do të kemi ndonjë të arritur në dialog, sepse Serbia nuk është e interesuar të bisedojë për pranimin e Kosovës”, ka thënë Sheholli për arbresh.info.
E njohësi tjetër, Blerim Burjani, vlerëson se takimet në Bruksel janë boshe dhe se s’do të ketë asnjë marrëveshje përfundimtare me këto qëndrime.
“Më shumë do të ketë retorikë dhe takime boshe në Bruksel. Shpresat nuk janë kurrfarë që Kosova dhe Serbia të arrijnë ndonjë marrëveshje. Miqtë e Kosovës po kërkojnë sjellje tjetër nga Kurti e ky po sillet në të kundërtën e tyre. Tash pothuajse Vuçiq dhe pjesa ndërkombëtare kanë një mendim unik të themelohet asociacioni i komunave serbe”, ka vlerësuar Burjani.
Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë, pritet që raundin e bisedimeve në kërkim të një marrëveshje finale ta vazhdojnë me 19 korrik.
Takimi i parë i tyre ishte më 15 qershor por me shumë tension e pa rezultate.
Çështje e ndjeshme në këtë proces po vlerësohet të jetë formimi i asociacionit të komunave serbe./V.Selimi/arbresh.info/
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën