Google ADS

Projekti “Sot unë, Polic i Kosovës” zbatohet me sukses në disa lokacione të Pejës

16:44 | 20 Gusht 2024
E.G

Në kuadër të përgatitjes për shënimin e 25-vjetorit të themelimit, Policia e Kosovës po ndërmerr një sërë aktivitetesh për të përfshirë komunitetin dhe për të festuar këtë përvjetor të rëndësishëm.

Sipas njoftimit, gjatë këtyre muajve, projekti “Sot unë, Polic i Kosovës” është zbatuar me sukses në disa lokacione të qytetit të Pejës, shkruan Arbresh.info.

“Qëllimi i projektit ‘Sot unë, Polic i Kosovës’ ishte përafrimi i fëmijëve me Zyrtarët Policorë, duke ju mundësuar atyre që për disa orë të ndihen si Zyrtarë Policorë.”, thuhet në njoftim.

“Ky projekt, e cila ka si qëllim sensibilizimin dhe afrimin e fëmijëve me profesionin e policit, ka përfshirë aktivitete të ndryshme, ku fëmijët kanë pasur mundësinë të veshin uniformat zyrtare të Policisë së Kosovës dhe të marrin pjesë në role të ndryshme policore. Pjesëmarrësit e rinj kanë qenë të entuziazmuar dhe të lumtur, duke përjetuar nga afër punën dhe përkushtimin që kërkohet në këtë profesion të rëndësishëm.”, thuhet tutje.

Policia e Kosovës vlerëson se kjo përvojë i ka dhënë fëmijëve mundësinë të kuptojnë më mirë rolin dhe përgjegjësitë e një polici, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë një respekt më të madh për punën që kryhet në mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Përmes këtyre aktiviteteve, Policia e Kosovës vazhdon të tregojë angazhimin e saj për të mbajtur lidhjet e forta me komunitetin dhe për të edukuar brezat e ardhshëm për rëndësinë e rolit të policit në shoqëri.

“Shënimi i 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës është një moment i veçantë që përforcon angazhimin e përditshëm të kësaj force për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë qytetarët e vendit.”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e policisë./Arbresh.info/

Të ngjashme