Policia dhe Prokuroria në Ferizaj diskutojnë për avancim të bashkëpunimit

10:00 | 9 Janar 2025
E.G

Në kuadër të bashkëpunimit institucional, drejtori rajonal i Policisë, Nënkoloneli Faton Pllana, së bashku me stafin e tij, realizoi një vizitë në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ku u prit nga Kryeprokurori Burim Çerkini.

Gjatë këtij takimi, ai e informoi Kryeprokurorin Çerkini lidhur me situatën e sigurisë në rajon, të cilën e vlerësoi si të qetë, shkruan Arbresh.info.

Ai gjithashtu ndau informacione për disa aktivitete të ndërmarra nga policia rajonale për parandalimin e incidenteve dhe aksidenteve në trafik.

Me këtë rast, ai e uroi Kryeprokurorin për emërimin e tij në pozitën e re si drejtues i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Nga ana tjetër, Kryeprokurori Çerkini theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me policinë rajonale të Ferizajt, duke vlerësuar lartë kontributin e tyre.

Ai ritheksoi se Prokuroria Themelore është një institucion i pavarur dhe i paanshëm, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke ushtruar autoritetin e saj për ndjekjen penale të personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

“Në përfundim të takimit, të dyja palët diskutuan mbi mundësitë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta për identifikimin dhe kapjen e autorëve të veprave penale.”, thuhet në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme