Google ADS

Murati thotë se kur Hoti ishte kryeministër 70 milionë euro të shpenzuara në emër të mbështetjes në pandemi s’shkuan as për pensionistë e as fëmijë

23:28 | 7 Prill 2024
E.G

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ndaj deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti i cili kritikoi qeverinë për raportin e buxhetit të vitit 2023, për siç ka thënë ai neglizhim të mijëra njerëzve nga kategori të ndryshme për t’u përballur me inflacionin.

Murati me anë të një postimi në Facebook i quajti të pavërteta deklaratat e deputetit, shkruan Arbresh.info.

Ai tha se po i njëjti raport të cilit po i referohet Hoti, tregon që kategoria buxhetore e pagave në sektorin publik në vitin 2023 është rritur për 114 milionë euro krahasuar me vitin paraprak, apo 17% rritje mesatare vjetore.

“Kur Avdullahu ka qenë Ministër i Financave, pagat i pati rritur për vetëm 4% në tërë mandatin, apo 15 euro për shumicën e shërbyesve publikë.”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky raport tregon që për pensionistët dhe për fëmijët, në vitin 2023 Qeveria Kurti ka ndarë 70 milionë euro shtesë, nga 100 euro për secilin.

“Kurse familjet në asistencë sociale për herë të parë janë mbështetur për blerjen e druve për ngrohje me 5 milionë euro.”, shkroi ai.

Ministri Murati ndër të tjera tha se kur Hoti ishte kryeministër 70 milionë euro i pati shpenzuar në emër të mbështetjes në pandemi, por ato para nuk patën shkuar as për pensionistë, as për fëmijë, e as për punëtorë madje

“Kur Avdullahu ishte Kryeministër në vitin 2020, 70 milionë euro i pati shpenzuar në emër të mbështetjes në pandemi, por ato para nuk patën shkuar as për pensionistë, as për fëmijë, e as për punëtorë madje. Përfitues të atyre 70 milionëve ishin pronarët e bizneseve, e ndër ta përfituesit më të mëdhenj ishin ata që në pandemi kishin fitimet më të mëdha – supermarketet.”, shkroi mes të tjerash ministri.

“Propaganda nuk kalon!”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme