Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka konsideruar se veprimet e djeshme të Policisë së kosovës për mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri janë në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend.
Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
“Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë. “, shtoi ai.
“Republika e Kosovës punon çdo ditë që t’i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian. Përmes Marrevëshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t’i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre.”, u shpreh Bislimi.
Bislimi tha se veprime të tilla përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës.
“Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. “, tha zëvendëskryeministri.
Ai komentoi edhe deklaratën e Bashkimit Evropian e cila tha që autoritetet e Kosovës të rishqyrtojnë vendimin dhe të gjejnë zgjidhje për këtë çështje, në kuadër të dialogut.
“Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo asesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian.”, u shpreh mes të tjerash kryenegociatori.
Ai theksoi çështjet të cilat sipas tij, duhet të jenë në qendër të dialogut në Bruksel.
“Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale.”, tha ai./Arbresh.info/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale