Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke ka folur për kapacitetet, projektet dhe objektivat e FSK-së, theksoi se synimi final është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Maqedonci foli edhe për paradën e FSK-së për nder të çlirimit të vendit, veçmas ajo që u mbajt në Prishtinë, që ishte vlerësuar si krenari e vendit, ku siç tha ai, pikësynim ishte shënimi i 25 vjetorit të çlirimit të vendit.
Ai shtoi se FSK po zhvillohet si një forcë profesionale e demokratike që mbikqyret nga autoritetet civile dhe si e tillë nuk paraqet kërcënim për askënd.
Ministri Maqedonci, më tej bëri të ditur detajet e armatimit të FSK-së gjatë parakalimit të paradës, duke përmendur llojet e armatimit si dhe pajisjet e tjera.
“Ne jemi duke ndërtuar një forcë që synon të jetë pjesë e integruar e NATO-s dhe si e tillë orientohet në aktivitetet që ndërlidhen me aktivitetet që zhvillohen edhe në vendet e NATO-s”, deklaroi Maqedonci në ‘RTKPrime’.
Ai më tej foli për tranzicionin e FSK-së duke u nisur që nga viti 2018, ku, mes tjerash, përmendi një plan të hartuar në bashkëpunim me SHBA-të dhe partnerët e tjerë perëndimor, që bën të mundur adresimin nga një forcë e mision të limituar, në një forcë me mandat të plotë ushtarake, teksa elaboroi në hollësi fazat e zbatimit të këtij plani.
“Njësitë tona certifikohen nga ekipet e Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës së FSK-së dhe ekipet nga SHBA-të për të dëshmuar se janë të afta për të zhvilluar operacione luftarake. Pra kur validojmë një regjiment të këmbësorisë, nënkupton që ky regjiment është i aftë për të zhvilluar luftime në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të vendit dhe është i ndërveprueshëm me NATO-n dhe është i gatshëm që të operojë bazuar në detyrat esenciale të zbatimit të misionit të tij “, theksoi Maqedonci.
Ai tutje, foli edhe për mbështetjen ajrore, për dronët, duke sqaruar funksionet e tyre, ku, sipas tij, si mjete fluturuese pa pilotë, janë aktualizuar kohëve të fundit, duke u bërë mjet i domosdoshëm për ushtritë e botës.
“Në këtë aspekt, ne kemi shënuar sukses, duke pasur dronin ‘Bajraktar’ të B2, si pjesë të inventarit të FSK-së në një fazë të hershme. Jemi vendi i tretë në Evropë që kemi blerë këtë sistem”, deklaroi Maqedonci, në ‘RTKPrime’, teksa shtoi se është një ndër sistemet ajrore të mbështetjes së operacioneve.
Ai më tej shtoi se planifikohet të blihen edhe helikopterë në fazën e ardhshme, si asete të mbështetjes ajrore.
Duke folur për buxhetin e FSK-së, ministri bëri të ditur se në vitin 2023, janë ndarë diku rreth 204 milionë euro, teksa vuri në pah arritjen e standardit të buxhetimit të FSK-së në 2% të GDP-së.
Lidhur me donacionet nga qytetarët për FSK-në, ministri Maqedonci tha se ka pasur një vullnet në mbështetje të saj, që, sipas tij, menaxhohet nga Ministria e Financave, e që, siç sqaroi ai, ka qenë dhe vazhdon të mbetet i nevojshëm si fond mbështetës, derisa situata e sigurisë gjithandej botës është e tensionuar, veçmas pas agresionit rus në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Maqedonci, duke folur për kalimin e Kosovës, nga vëzhgues, në anëtar i asociuar i NATO-s, tha se kjo i përket më shumë kuvendit. Sipas tij kjo është arritje e rëndësishme, meqë ofron mundësi të mëdha edhe për institucionet tjera të vendit, ku kuvendarët tanë do të kenë mundësi të prezantojnë rezoluta, të jenë pjesë e amandamentimit të rezolutave të ndryshme, etj.
Duke folur në aspektin e lobimit, për synimin final pra anëtarësimin e vendit në NATO, ministri Maqedonci tha se është bërë lobim i mjaftueshëm, dhe se janë bërë hapa të rëndësishëm që çojnë drejt anëtarësimit.
“Kosova është pjesë e shumë iniciativave të përbashkëta që ndërlidhen me NATO-n”, deklaroi Maqedonci, teksa kujtoi aktivitetin e përbashkët të vendit tonë me vendet tjera të NATO-s në pritjen e refugjatëve afganë, pastaj përmendi edhe angazhimin e vendit tonë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën etj.
“Kosova është e vendosur që të anëtarësohet në NATO. Këtë e kemi theksuar në çdo takim me vendet anëtare të NATO-s, në të gjitha nivelet. Ne jemi duke ndërtuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në sipas standardeve të NATO-s “, nënvizoi Maqedonci.
Tutje, ai vuri në dukje vështirësitë në ecjen përpara të Kosovës për anëtarësim në NATO nga vendet mosnjohëse. Gjithashtu, ai përmendi edhe disa vende që këmbëngulin në avancimin e vendit tonë drejt anëtarësimit, sidomos SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, etj.
“Natyrisht që ne do të punojmë për të bindur vendet mosnjohëse, jo vetëm për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, por edhe për ta njohur shtetësine e Kosovës”, deklaroi ministri Maqedonci.
Duke folur për shtrirjen e sovranitetit të vendit, si dhe për çështjen e sigurisë në vend, Ministri i Mbrojtjës tha se është hera e parë që vendi ynë ka arritur të shtrijë sovranitetin dhe të vendosë rend dhe ligj, por që sipas tij, rreziku mbetet ende, ngase ende janë të lirë pjesëtarë të grupit të Radoiçiqit, të cilët enden të lirë në Serbi.
Maqedonci foli edhe për pozitën e ushtarit të FSK-së në shoqërinë tonë, ku mes tjerash tha se qytetarët e vendit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një simpati të veçantë dhe besim në profesionalizmin e FSK-së. Megjithatë, sipas tij, paga që marrin ushtarët nuk është e mjaftueshme.
“Nuk ka pagë që paguan mundin dhe sakrificën e ushtaraku të FSK-së, por edhe të policit të Policisë së Kosovës, por motivi kryesor i tyre është atdhedashuria”, theksoi Maqedonci, teksa vuri ne pah vështirësinë e ruajtjes së kuadrove të afta të FSK-së, pavarësisht pagës së ulët të tyre, që është sfidë jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën./rtk/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Erëra të forta e shi orët në vijim, Komuna e Prishtinës para...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?