Google ADS

Kurti takon me Nënsekretarin e UNDP-së, i tregon për projektet zhvillimore në veri

22:34 | 26 Shtator 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Nënsekretarin e Përgjithshëm dhe Administratorin e Asociuar të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu.

Në takim Kurti vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë me UNDP-në në shumë projekte e fusha me interes të përbashkët, shkruan Arbresh.info. 

Më tej, e njohu Nënsekretarin me aktualitetin në vend dhe progresin që ka njohur vendi në tre vitet e fundit të qeverisjes.

“Nga rritja ekonomike dhe shpërndarja e barabartë e saj te të gjithë qytetarët pa dallim, shtesat për nënat dhe fëmijët, mbështetja e bizneseve, rritja e vendeve të punës sidomos për gratë dhe të rinjtë, sundimi i ligjit e luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, thuhet në njoftim. 

Ai shtoi se arritjet dhe zhvillimin që po përjeton vendi, u dëshmuan edhe përmes rankimeve e matjeve ndërkombëtare. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga ana e UNDP- së edhe në programe që prekin transformimin digjital, transparencën dhe qeverisjen e mirë.

U theksuan projektet zhvillimore në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimi me UNDP në këtë aspekt.

Kryeministri theksoi nxitjen e të bërit biznes përmes incentivave të Qeverisë, si dhe projektet infrastrukturore që do përkrahen në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. Të njëjtat, theksoi Kryeministri, do ndihmojnë zhvillimin ekonomik në dobi të qytetarëve dhe do mund të fuqizohen më tutje përmes bashkëpunimit me UNDP-në.

Nga ana e tij, Nënsekretari Haoliang Xu vlerësoi reformat e thella dhe angazhimin nga Qeveria e Kosovës si dhe nënvizoi gatishmërinë e UNDP-së për të përkrahur iniciativat e qeverisjes së mirë dhe digjitalizimit të shërbimeve, që kanë për synim transparencën dhe gjithëpërfshirjen.

Duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Haoliang Xu për shkëmbimin dhe bisedën e frytshme, duke rikonfirmuar bashkëpunimin e thellë dhe produktiv me UNDP-në./Arbresh.info/

Të ngjashme