Kurti në Hamburg: Jemi të interesuar për skaner me rreze X, që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës

20:11 | 19 Qershor 2024
E.G

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka vizituar Portin e Hamburgut me një delegacion nga Kosova me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Kurti tha se kjo vizitë ka të bëjë me vëzhgimin dhe mësimin e këtij skanimi me rreze X që zhvillohet në portin e Hamburgut për kontejnerët, maunët, dhe transportuesit e tjerë, shkruan Arbresh.info.

Ai shpreson që qeveria gjermane ta pajisë edhe Kosovën me skaner të tillë duke thënë se kështu rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë.

“Jemi të interesuar që të kemi tregti të sigurt andaj siguria në Kosovë nënkupton sigurinë e kufijve dhe sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt.”, u shpreh Kurti.

“E falënderoj edhe një herë z. Sarrazin për këtë mundësi në portin e Hamburgut ku bëhet kontrolli kulmor i mallrave sa i përket sigurisë.”, shtoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme