Google ADS

Kurti – McGovern-it: SHBA dha kontribut të madh për pavarësinë e Kosovës

23:15 | 19 Gusht 2024
E.G

Pak orë para nisjes së Konventës Kombëtare Demokratike ku edhe do të jetë pjesëmarrës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me kongresistin James P. McGovern.

Ky ishte takimi i dytë mes tyre, pas atij në Washington, në majin e dy viteve më parë.

Së pari, ai shprehu mirënjohjen për përkrahjen e pareshtur të Kongresit ndaj Kosovës dhe për kontributin e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe etapat shtetndërtuese të Kosovës.

Kryeministri Kurti e njohu kongresistin McGovern me progresin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë në tri vitet e fundit. Ai tha se rankimet ndërkombëtare të Kosovës qëndrojnë si dëshmi e fuqishme e avancimit tonë si shtet demokratik, teksa si Qeveri jemi angazhuar maksimalisht në shpërndarje të barabartë të zhvillimit tonë ekonomik tek të gjithë qytetarët.

Më tej, kryeministri shtoi se kjo përfshin dhe përkrahje të theksuar për integrim për të gjitha komunitetet, dhe përfshirjen e tyre brenda sferave të jetës shoqërore, si në aspektin ekonomik, po ashtu dhe në atë institucional. Në kuadër të disa prej masave e politikave të ndërmarra nga Qeveria, ai përmendi ndër të tjera rindërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë dhe pilotimi i projektit për edukim të përbashkët mes komuniteteve shumicë dhe joshumicë.

Duke shprehur vlerësimin për mbështetjen e tij dhe takimin e frytshëm, kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin McGovern për bisedën dhe veçanërisht për avokimin e vazhdueshëm për drejtësi për vëllezërit Bytyqi, të cilët u vranë padrejtësisht nga forcat serbe në vitin 1999./Arbresh.info/

Të ngjashme