Kurti dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar diskutuan rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare

12:34 | 9 Dhjetor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe me Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, mirëpritën sot Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, Presidentin e Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spiros Capralos dhe përfaqësues tjerë të lartë të IOC dhe EOC.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë IOC-së për rolin e saj në pranimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar të sportit, përkatësisht në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik, shkruan Arbresh.info.

Pikërisht sot shënohet 10-vjetori i pranimit të Kosovës me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Kurti theksoi se sukseset e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike, Rio 2016, Tokio 2020 dhe Paris 2024, duke fituar gjithsej pesë medalje olimpike, prej tyre tri medalje të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, kanë dëshmuar që anëtarësimi i Kosovës në IOC ia ka vlejtur fort dhe sportistët nga Kosova kanë gjithë potencialin për të kontribuar në arenën ndërkombëtare të sportit.

Gjatë takimit u diskutua edhe rreth organizimit të edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare, për të cilat nikoqire do të jetë Republika e Kosovës, për çka Presidenti Bach përgëzoi vendin tonë.

Shefi i ekzekutivit dhe zëvendësministrja Osmani nënvizuan rëndësinë e këtyre lojërave për promovimin e vendit dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal, si dhe për sportistët dhe sportin vendor, si përfitues të drejtpërdrejt nga investimet në infrastrukturën sportive në vend, që parashihen të jenë rreth 250 milionë euro.

Ndër të tjera, theksuan edhe reformën legjislative për sportin, përfshirë këtu miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sportit dhe programet që po zbatohen në shkolla, si ai “Sporti në Shkolla”.

Presidenti Bach falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Komitetit Olimpik të Kosovës dhe sportit në përgjithësi.

“Në shënim të përvjetorit jubilar të pranimit në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, sonte mbahet ceremonia festive, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Kurti dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, së bashku me përfaqësues tjerë të lartë të IOC dhe EOC.”, thuhet në njoftimin e ZKM-së./Arbresh.info/

Të ngjashme