Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, dy prej tyre pronarë të kompanive dhe dy të tjerë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), të cilët dyshohet se i kanë shkaktuar dëm shtetit të Kosovës në vlerë rreth 400 mijë euro.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë ndaj N.S., B.B., (zyrtare të MASHT-it) dhe V.B. e M.S., (pronarë të kompanive), për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Tutje, sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurat N.S. dhe B.B., në cilësinë e zyrtareve të MASHT-it, gjatë implementimit të kontratave “Furnizim me Teknologji Informative për nevoja të MASHT-it”, në bashkë kryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë vepruar jashtë autorizimeve zyrtare dhe jashtë kompetencave të tyre reale, në atë mënyrë qe me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë dobi pasurore Operatori Ekonomik, i tejkalojnë kompetencat e tyre si dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, me ç ‘rast kanë nënshkruar dhe lejuar dokumentacione për pagesa duke tejkaluar 30 % e kontratave publike kornizë që parasheh Ligjin e Prokurimit Publik, ku si pasojë kompanisë i kanë sjellë dobi materiale dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm të madh Buxhetit të Kosovës, me saktë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Andaj, shuma e llogaritur në total që i është bërë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës është prej 807,293.36 €.
“Ndër tjerash, të pandehurit N.S., B.B. dhe M.S., gjatë procesit të furnizimit me pajisje teknologjike të Universitetit Publik në Gjilan, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve si dhe duke i fshehur faktet e sjellin në lajthim personin tjetër që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, përkatësisht Buxhetit të Republikës së Kosovës, ashtu që kanë krijuar dhe nënshkruar dokumentacion me qëllim të duplifikimit të Urdhërpagesës, ku bazuar në këto Urdhërpagesa janë ekzekutuar pagesat për të dytën herë për pajisjet që tani më janë dërguar dhe paguar”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, të pandehurit V.B. dhe M.S., ngarkohen gjithashtu me veprat penale “Shmangia nga tatimi” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, sipas KPRK-së.
Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, ka propozuar që gjykata të konfiskojë dy banesat e blera më 2018 në vlerë prej 102,500.00 euro dhe 84,000.00 euro, dobi pasurore këto të fituara me vepër penale, si dhe të shqiptojë dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës për të pandehurat N.S. dhe B.B./Arbresh.info/
Liverpool në kërkim të shkëputjes në tabelë përballet me Lei...
Cunha i shënon gol direkt nga korneri Man Unitedit
Akanji flet për çështjen e titullit kampion: Tani nuk është ...
Vullneti: Gjesti po luan me Drilonin që të e fitojë vendin n...
Gjysmë orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, kj...
Aksidentohet autobusi me 58 persona në Norvegji, raportohet ...