Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka zënë vend në deklaratën që doli nga samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Kjo çështje është renditur si pikë e 13 e kësaj deklarate e ku thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i pengon të dy partnerët.
“Marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. BE-ja rikujton se një parakusht për mbështetjen në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor është që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në këtë deklaratë.
BE-ja ka siguruar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, duke rikonfirmuar kështu angazhimin e tyre ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Tutje thuhet se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, siç thuhet në Deklaratën e Granadës.
“Ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit dhe progres të dukshëm që nga Samiti ynë i fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët. BE-ja është e përkushtuar që ta afrojë Ballkanin Perëndimor me BE-në tashmë gjatë procesit të zgjerimit. Integrimi i tyre gradual tashmë ka filluar në fusha të ndryshme të politikave, duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët, në mënyrë reversibile dhe të bazuar në merita”, thuhet tutje aty.
Në këtë deklaratë gjithashtu thuhet se BE-ja mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar dhe për t’u përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimin e ritheksuar ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit.
“ Sundimi i ligjit, liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe një rol i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtare për të garantuar funksionimin e demokracisë. Në këtë aspekt, veprimet do të flasin më shumë se fjalët pasi partnerët marrin përgjegjësitë dhe zbatojnë reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e aspekteve bazë. BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e gjatë që u lëshua nga Brukseli pas samitit BE-Ballkan Perëndimor.
Rama në darkën me trupin diplomatik: Shqipëria ka vetëm një ...
ShKShMK u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në akt...
Kurti paralajmëron për sulme të reja nga Serbia: Pritet të n...
Medon Berisha flet pasi është kthyer në një titullar të padi...
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...