Google ADS

39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë për 9 të akuzuarit në rastin “Toka”,

16:37 | 26 Dhjetor 2024
E.H

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj Azem Sylës dhe 17 të akuzuarve tjerë në rastin “Toka”. Ish-deputeti Syla, Gazmend Gashi, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj, u liruan nga akuzat. Ndërsa, Shaban Syla, Shpresim Uka, Lubisha Vujoviq, Ilaz Syla, Arton Vila, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Sabedin Haxhiu dhe Vidosav Novakoviq, u dënuan me 39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë (së bashku).

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë rast, të akuzuar janë: Azem Syla, Shaban Syla, Arton Vila, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq.

Sipas aktgjykimit, është vërtetuar tjetërsimi i pronave për disa të pandehur, ndërsa për disa të tjerë nuk është arritur të vërtetohet një gjë e tillë.

Azem Syla dhe Gazmend Gashi u liruan nga akuza për krim të organizuar dhe mashtrim. Po ashtu, Azem Syla, Shpresim Uka dhe Gazmend Uka lirohen nga akuza për shtytje në vepër penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shaban Syla u shpall fajtor për krim të organizuar, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe pastrim të parave në vazhdimësi, duke u dënuar me 7 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë.

I akuzuari Shpresim Uka u shpall fajtor për krim të oganizuar, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe pastrim të parave në bashkëkryerje, ku u dënua me 7 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë.

I akuzuari Lubisha Vujoviq u shpall fajtor për krim të organizuar, mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme dhe u dënua me 4 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë.

Për të akuzuarin Ndue Palushi është hudhur aktakuza për legalizim të përmbajtjes së rreme, për shkak se ka arritur parashkrimi.

Kurse, i akuzuari Ilaz Syla u shpall fajtor për pikat 23 dhe 24 të aktakuzës për pastrim të parave, mashtrim dhe krim të organizuar, dhe u dënua me 3 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

I akuzuari Arton Vila u shpall fajtor për krim të organizuar dhe pastrim të parave, u dënua me 5 vite burgim dhe 40 mijë euro gjobë.

Kurse, Ramadan Uka u shpall fajtor për krim të organizuar, mashtrim, pastrim të parave në bashkëkryerje, duke u dënuar me 5 vite burgim dhe 40 mijë euro gjobë.

Në anën tjetër, Abdurrahman Brajshori u shpall fajtor për krim të organizuar, mashtrim dhe pastrim të parave dhe u dënua me 3 vite burgim dhe 30 mijë euro gjobë.

I akuzuari Sabedin Haxhiu u shpall fajtor për shpërdorim të pozitës zyrtare, kurse u lirua nga akuza për marrje ryshfeti në vazhdimësi dhe për pastrim të parave. Ai u dënua me 1 vit burgim.

Kurse, Vidosav Novakoviq u shpall fajtor për krim të organizuar dhe mashtrim, u dënua me 4 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit Avni Maxhuni, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj, u liruan nga akuza për pastrim të parave. Po ashtu, Shaban Syla, Azem Syla dhe Avni Maxhuni u liruan nga akuza për shmangie nga tatimi.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu viheshin në barrë. Kurse, i akuzuari F.G., nuk ishte deklaruar me arsyetimin e avokatit të tij, Gëzim Kollqaku, se klienti i tij ka ekspertizë psikiatrike që vërteton se nuk është i aftë për ta kuptuar aktakuzën.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Arben Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkonte të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzoheshin se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme