37 psikologë shkollor të punësuar në Komunën e Prishtinës

11:59 | 4 Dhjetor 2022
A Z

Përfshirja e psikologëve në shkolla po shihet e nevojshme në institucionet shkollore.

E për këtë arsye Komuna e Prishtinës hapi konkurs për psikologë.

Nga kjo komunë thonë se tani Shkollat e Mesme të Larta të Komunës së Prishtinës kanë të gjitha psikologë.

Kështu thonë në një përgjigje për arbresh.info nga Komuna e Prishtinës.

“Janë pranuar Psikologët e rinj shkollor në Komunën e Prishtinës. SHML-të kanë të gjitha psikologë. SHFMU 34 institucione që do të kenë psikologë dhe dy psikologë në kopshte. Sipas udhëzimeve administrative shkollat që kanë mbi 1000 nxënës duhet të kenë psikologë. 37 psikologë shkollor janë tani të punësuar në Komunën e Prishtinës,” thonë nga komuna për arbresh.info.

Shahini: Ende nuk është i qartë pozicioni i psikologut në shkolla

Psikologeja, Mimoza Shahini thotë se ende nuk është i qartë pozicioni i psikologut në shkollat e vendit, pasi që shkollat po e përdorin psikologun për t’i ndëshkuar fëmijët.

“Psikologu shkollor, prania e tij është për ta ndihmuar fëmijën me mësim nxënien dhe mjedisin e shkollës për me u ballafaquar me probleme të cilat lindin brenda shkollës. Çka po bëjnë shkollat tona po e përdorin psikologun për me i ndëshkuar fëmijët, nëse fëmijët nuk sillen mirë shko te psikologu dhe normalisht që fëmijët hezitojnë me shkuar ma te psikologu sepse e dinë që te psikologu shkojnë vetëm fëmijët problematikë, ndërkohë që psikologët shkollorë nuk e kanë për detyrë të merren vetëm me problemin e sjelljes por ata e kanë për detyrë me organizuat programe para shkollës, me parandaluar dhunën, bullzimin dhe me i ndihmuat mësimdhënësit qysh me zhvillu një orë mësimore më atraktive ma pro nevojave të fëmijëve,” thotë Shahini.

Sipas psikologes Shahini edhe në shkollat ku ka psikolog është e shfaqur dhuna e bullizmi.

Megjithatë, ajo mendon se psikologët nuk po e bëjnë punën si duhet.

“Kur shkolla është vend i sigurt dhe i përmbush nevojat e fëmijëve sigurisht atëherë fëmijët janë më të qet, mirëpo kjo s’po ndodhë edhe në shkollat ku ka psikolog nuk është që niveli i dhunës apo bullizmit është më i vogël se sa në një shkollë e cila nuk ka psikolog, pse pikërisht këtë keqkuptim për pozicionin e psikologut, dhe ka shkolla që e përdorin psikologun për të zëvendësuar orët që mungojnë mësuesit”, shprehet ajo. Psikologu është brenda shkollës për me pa dinamikën. Unë nuk mendojë se po e bëjnë punën si duhet se po tregojnë shifrat. Rritja e dhunës në shkolla, rritja e krimit brenda shkollës, mos organizimi i programeve parandaluese krejt këto janë pjesë e punës se psikologut shkollor”, shprehet ajo.

Berisha: Komuna e Malishevës vetëm me dy psikologë

Drejtori i arsimit në komunën e Malishevës Sabit Berisha thotë se komuna e Malishevës ka 40 shkolla, të angazhuar vetëm dy psikolog, kjo si pasojë e buxhetit të ulët që ka komuna.

“Duke e ditur se roli i psikologut në shkolla është i domosdoshëm por fatkeqësisht në komunën tonë është numër simbolik. Numri i psikologëve në shkollat e komunës tonë është 2 psikolog. Duke ditur gjendjen e shkollave tona sigurisht që ka nevojë për më tepër, por duke e ditur gjendjen e buxhetit edhe të komunës tonë është i pa mjaftueshëm, atëherë kishte me qenë mirë MASHTI me siguruar buxhet të paktën në 1000 nxënës te kemi një psikolog. Numri i shkolla fillore 37 shkolla të mesme 3 dhe një çerdhe”, thotë Berisha.

Maloku: Mbi 900 nxënës me një psikolog

Ndërsa drejtori i shkollës fillore Lidhja e Prizrenit në Deçan Qazim Maloku thotë se shkolla e tyre ka vetëm një psikolog tash e një vit edhe pse numri i nxënësve është mbi 900.

“Psikologja e shkollës punon me nxënësit delikuent me nxënës që kanë problem ne të nxënë dhe në vijueshmëri, varësisht nga konsultimi që e bënë me mësimdhënësit dhe krijon raport për secilin veç e veç. Në shkollën tonë ajo vjen vetëm dy ditë pasi që është e angazhuar edhe në disa shkolla të tjera. Shkolla jonë ka 940 nxënës dhe ka nevojë që psikologja të jetë e angazhuar vetëm në shkollën tonë e jo në shkollat e tjera. Tu pas parasysh që shkolla jonë është shkolla me numrin më të madh të nxënësve”, ka thënë Maloku./arbresh.info/ Vjollca Gajraku

 

 

Të ngjashme