34 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

08:57 | 7 Shtator 2024
K.B

Sot, më 7 shtator 2024, u bënë 34 vjet qysh kur delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën Kushtetutën, të njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”.

Më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese (7 shtator), e njohur si “Deklarata e Pavarësisë”, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht e shpallën Kosovën Republikë.

Shpallja e Kushtetutës së Kosovës është bërë në Kaçanik më 7 shtator 1990, në një organizim të fshehtë, pasi vendi ishte i mbushur nga forcat policore dhe ushtarake të pushtuesit, të cilit kishin nisur një spastrim të hapur të institucioneve të Kosovës, duke i larguar punëtorët shqiptarë dhe futjen e masave të dhunshme.

Po ashtu, deputetët që kishin shpallur Deklaratën ishin edhe personat të cilët regjimi serb i asaj kohe ishte vënë në kërkim të tyre.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë e Veriut, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

7 Shtatori cilësohet si identitet i historisë së re të Kosovës dhe njëra nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme