Google ADS

34 milionë euro shpenzuan kosovarët për duhan vetëm deri në maj

10:46 | 5 Qershor 2022
A Z

1 mijë e 400 tonë duhan, ne vlerë 34 milionë euro, është sasia e duhanit që  kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës brenda pesë mujorit të këtij viti.

Kështu thotë për arbresh.info, zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci.

Ai thotë se, taksat e paguara janë 95 milionë euro, ku sipas tij, vendet nga importohet duhani janë, Gjermania, Kroacia, Turqia, Polonia, Zvicrra, Greqia.

“Derisa këtë vit,  deri në maj kemi rreth 1400 tonë me vlerë rreth 34 milionë dhe taksat e paguara janë 95 milionë euro. Vendet nga importohet duhani janë: Gjermania, Kroacia, Turqia, Polonia, Zvicrra, Greqia”, thotë ai.

Ndërsa në vitin 2021 Stavileci, thotë se është importuar rreth 3500 ton të duhanit me vlerë rreth 87 milionë euro.

“Vitin 2021 kemi pasur rreth 3500 ton import të cigareve me vlerë rreth 87 milionë euro dhe total të taksave të paguara rreth 236 milion euro”, thotë ai.

Shkumbin Spahiu, monitoruesi i zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, ka thënë se niveli i zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, ka shënuar rënie vit pas viti, dhe shkelja e këtij ligji është shndërruar në dukuri të zakonshme, dhe më shumë se 80% e qytetarëve i ekspozohen rregullisht tymit të duhanit në bare, kafene, restorante dhe vende të punës.

“Fatkeqësisht, niveli i zbatimit të LKD ka shënuar rënie vit pas viti dhe shkelja e ligjit sot është shndërruar në një dukuri të zakonshme. Bazuar në rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim – KADC në shkurt të vitit 2020, 81,4% e qytetarët i ekspozohen rregullisht tymit të duhanit në bare, kafene dhe restorante dhe ndërsa 27% e tyre në vendet e punës”, thotë Spahiu.

Sipas tij, këto shkelje përveç që ndodhin në sektorin e gastronomisë, shqetësuese është që ky ligj shkelet edhe nga vet institucionet publike të cilat janë përgjegjëse që të zbatojnë ligjin.

“Përveç shkeljeve në sektorin e gastronomisë, shqetësues është niveli i lartë i shkeljeve të ligjit nga vetë institucionet publike të cilat janë përgjegjëse që të zbatojnë ligjin duke përfshirë këtu shkeljet në Kuvend, ministri, komuna, gjykata, polici dhe institucione tjera”, thotë ai.

Ai shton se, vështirësitë kryesore në zbatim të këtij ligji, qëndrojnë në mungesën e vullnetit politik dhe neglizhencës që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet këtij ligji nga ana e qeverisë dhe kryetarëve të komunave.

“Vështirësitë kryesore në zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit qëndrojnë në mungesën e vullnetit politik dhe neglizhencës që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet këtij ligji nga ana e qeverisë dhe kryetarëve të komunave, mungesa e inspektimeve nga organet përgjegjëse për zbatim gjegjësisht inspektoratet dhe mos-funksionalizimi i kompetencave shtesë që u jepen organeve zbatuese nga ligji për kundërvajtje”, tha monitoruesi i zbatimit të Ligjit të Duhanit.

Rikujtojmë se bazuar në të dhënat nga Dogana e Kosovës, i bie se Kosovarët shpenzojnë rreth 400 milion euro në vit vetëm për produkte të duhanit./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

 

Të ngjashme