30 shtatori data e fundit e dorëzimit të dokumenteve, në fillim të tetorit provimet pranuese

11:12 | 27 Shtator 2020
L G

Viti i parë akademik për studentët  e rinj nuk do të fillojë me 1 tetor, shkaku i vonesave në mbajtjen e testit të maturës.

Më 21 shtator është hapur konkursi për pranimin e studentëve të rinj në studimet themelore – baçelor, për vitin akademik 2020/2021 nëpër universitetet publike.

Pavarësisht kësaj rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për vitet e tjera.

“Viti akademik, vetëm për vitet e para, do të filloj me vonesë. Pavarësisht nga kjo, UP-ja  është angazhuar që semestri për këta studentë të jetë i plotë, si dhe të mos ketë dëmtim në rrjedhën normale të procesit mësimor”, thuhet në përgjigjën e rektoratit.

E studentët të cilët aplikuan për tu bërë pjesë e Universitetit të Prishtinës nuk kanë informacione rreth fillimit të studimeve.

Liburn Ajvazi nga Podujeva i cili dorëzoi dokumentet për tu regjistruar në Fakultetin Juridik, thotë se nuk ka informacione se si do të filloj viti i parë.

“Në Fakultetin Jurdik aplikova, kish pas kallaballëk, duhet më pas suksesin për të pas mundësi mu pranu. Kish pas distancë dhe ishin të  vetëdijshëm. Për vitin e parë nuk dihet se kur do të filloj fakulteti”, deklaroi Ajvazi.

Edhe studentet e tjetra,  Fjolla Shkodra e Kosovare Shkodra, thonë se nuk ka informacion për fillimin e vitit të ri akademik.

Ato po aplikonin në Fakultetin Ekonomik.

Ndërsa Vlera Zejnullahu, thotë se informacionet rreth fillimit të fakultetit i ka marr nga rrjetet sociale.

“Në menaxhimet dhe informatikë. S’kish pas shumë studentë në këtë drejtim. Po, u rujke distanca. Kemi pas informatat për aplikim pasi i kemi parë në rrjete sociale”.

Konkursi për pranimin e studentëve të rijnë është hapur më 21 shtator.

Konkursi për pranimin e studentëve nëpër universitetet publike mbetet i hapur deri më 30 shtator, dhe provimet pranuese në shumicën e njësive akademike do të mbahen në fillim të tetorit./V.Selimi/arbresh.info/

Të ngjashme