Në Kosovë, llogaritet se janë rreth 30 mijë përdorues të substancave narkotike.
Rreth gjashtë mijë prej tyre, konsiderohet se janë përdorues aktiv të narkotikëve të ndryshëm, thonë zyrtarë nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.
Sipas tyre, droga që ka shënuar rritje gjatë kohës së pandemisë COVID-19 është kokaina.
Vigan Blakaj nga kjo Qendër thotë se, mosha e përdorueseve të lëndëve narkotike është e ndryshme.
“2000 deri 3000 persona frekuentojnë Qendrën tonë në baza ditore. Në përgjithësi në Kosovë janë rreth 30 mijë përdorues të substancave narkotike. Rreth gjashtë mijë nga ta konsiderohet se janë përdorues aktiv. Kohën e fundit kanë ndryshuar edhe llojet e drogave, por gjatë kësaj kohe të pandemisë kokaina ka shënuar rritje, dhe që është raportuar më shumë prej klientëve tonë. Mosha përdorueseve të lëndëve narkotike është e ndryshme, duke filluar nga mosha 25 deri 40 vjet, që është më e zakonshme. Por kemi raste edhe më ekstreme të moshës 60 dhe 12 vjeçare”, vlerëson Blakaj.
Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se Policia ka arritur që gjatë vitit 2020, të realizojë një sërë planesh konkrete, ku janë konfiskuar mbi 9 kilogramë heroinë.
Ai thotë se gjatë vitit 2020 kanë qenë 1,005 raste të reja, e që janë arrestuar 1,144 persona.
“Në fushën e parandalimit, hetimit dhe zbulimit të trafikimit me narkotikë në vitin 2020 janë iniciuar gjithsej 1,005 raste të reja, janë arrestuar 1,144 persona dhe janë përcjellë 714 kallëzime penale ndaj 938 të dyshuarve. Nga numri i përgjithshëm i rasteve, për heroinë janë iniciuar 37 raste dhe janë arrestuar 48 persona, për kokainë janë regjistruar 38 raste dhe janë arrestuar 70 persona, për mariuhanë janë iniciuar 898 raste dhe janë arrestuar 1,005 persona, ndërsa janë iniciuar 33 raste dhe janë arrestuar 21 persona për kultivimin e bimëve të kanabisit. Janë konfiskuar: 9 kg 803.65 g heroinë; 2 kg 676.85 gr kokainë; 225.42 gr ekstazi; 256 kg 717.9 gr marihuanë, 5622 bimë kanabis”, thotë ai.
Labinot Kunushevci, sociolog, për arbresh.info rendit disa shkaqe që nxisin të rinjtë të përdorin drogë.
Sipas tij, ka ndikuar edhe pandemia, që indirekt çon drejt narkomanisë dhe abuzimit me lëndë narkotike
“Përdorimi i drogës vjen si rezultat i shumë faktorëve: mungesa e vetëdijes, mungesa e informacionit për pasojat, kurreshtja dhe iluzioni, niveli i lartë dhe i pa menaxhuar i stresit, depresioni, pakënaqësitë individuale dhe shoqërore, shoqëria e devijuar, izolimi dhe frustrimi, monotonia dhe hedonizmi si mënyrë jetese, mungesa e perspektivës dhe mirëqenies, mungesa e kontrollit institucional, dështimi në edukimin familjar. Pandemia ka ndikuar në disa prej këtyre faktorëve, që indirekt çojnë drejt narkomanisë dhe abuzimit me lëndë narkotike”, theksoi ai./A.Zeka/arbresh.info/
Rrëfimi i trishtë i Drilonit, problemet me shëndetin dhe vua...
Parashikimi i motit për vikend
Ministri i Jashtëm izraelit do të votojë në favor të armëpus...
Zarfi i zi, Vëllai i Madh kumton ndëshkimin ndaj banorëve!
Protestë masive anti-Vuçiq në Beograd para televizionit RTS
7 Ushqimet me karbohidrate që duhet të blini për të ulur kol...