Muaji gushti nisi si mos më keq në Kosovë.
Me fillim të muajit brenda një periudhe të shkurtë kohore prej gjashtë ditëve, ndodhën tri vrasje të rënda në vend në tri raste të ndara.
Fillimisht me 4 gusht në lokalin ‘Bon Vivant’ në Prishtinë, një person mbeti i vrarë nga arma e zjarrit e dhjetëra të tjerë të lënduar pas një mosmarrëveshje mes disa personave.
Vetëm tri ditë më pas, në qytetin e Klinës po ashtu në një lokal një person u qëllua për vdekje me armë zjarri.
Edhe në Runik të Skenderaj dy persona të maskuar kanë hyrë në një lokal të natës duke shtënë me armë zjarri në drejtim të njerëzve.
Edhe në këtë rast, mbeti i vrarë një person.
Larja e hesapeve me armë të zjarrit, sidomos nga të rinjtë, ka filluar të ngjall shqetësime serioze në shoqëri.
Që është mjaftë shqetësuese e thotë edhe avokatja, Fehmije Gashi – Bytyqi e cila i ka përcjell me shumë vëmendje zhvillimet e fundit tronditëse në vend.
Avokatja thotë se edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që kur ka përfunduar lufta, ende ka në duart e kosovarëve armë
“Vetë fakti që jemi shoqëri e dalur pas lufte, kjo nënkupton që Kosova është mjaftë e armatosur. Ka qenë edhe arsyeja se ta kesh një armë, është konsideru se ti e mbron pragun e oborrit tendë, edhe e mbron familjen tënde. Por situata që ato armë janë në duart e të rinjve që në kohën e luftës ose kanë qenë të pa lindur, nënkupton që është shqetësuese dhe duhet të ndërmerret”, tha Gashi – Bytyqi.
Edhe pse çdo ditë të angazhuar, Policia e Kosovës sipas avokates nuk mund ta mbuloj mjaftueshëm gjithë territorin e Kosovës.
“Policët e Kosovës nuk mund ta mbulojnë çdo pjesë, çdo pëllumb të Kosovës çdo cep. Por atëherë kur ngritët vetëdija tek qytetarët se çdo person mund të jetë njëkohësisht edhe polic d.m.th. të bashkëpunoj, atëherë dal nga dal do ta arrijmë një siguri. Mirëpo në Kosovë kjo pak edhe është avansu, por në krahasim me shtetet e tjera në Kosovë nuk po e shoh që po ndodh”, tha avokatja Gashi.
Si një avokate, konsideron që për t’i vetëdijesuar qytetarët që të mos përdorin armë, duhet të rriten dënimet.
“Në rastet kur përdoren, ku shkaktojnë lëndim, shkaktojnë vrasje së bashku me dënimin më të madh apo kapital është edhe dënimi për armë. Mirëpo un konsideroj që për ti vetëdijesuar, me i disiplinu, me i frikësu pak qytetarët e Kosovës se mbajtja e armës paraqet vepër penale, duhet të rritet politika e dënimeve”, tha Gashi.
Ndodhën këto vrasje, e u rritën numri i patrullave të policisë. Sipas avokatë, ky vendim është shumë i vonshëm.
“Rritja e patrullimeve nga Policia e Kosovës është e vonshme për shkak se përkundër respektit që kam, megjithatë për vet faktin që për fatin e mirë tonë prej qershorit deri në shtator Kosovës i kthehet ajo ringjallja, na kthehet një pjesë shumë e madhe e bashkatdhetarëve tanë nga jashtë, d.m.th. nënkupton se janë rrethana të tjera, krijohen shumë ahengje, shumë mbrëmje, lokalet natën oraret i kanë të stërzgjatura. Duhet të kufizohen lokalet e natës, deri në ora 01:00 mjafton. Duhet pak me u qetësu,” tha Gashi.
Mes kritikave, Gashi thekson se një rol të rëndësishëm në vetëdijesimin e qytetarëve luajnë edhe mediat.
Sipas saj, koha që u jepet analistëve të ndryshëm për të diskutuar tema të ndryshme, mund të zëvendësohet me tema për çështje të sigurisë.
“Derisa ju japin hapësirë çdo natë disa analistëve të cilët i shprehin ato pikëpamjet e tyre personale për atë çështje apo për këtë çështje, pse mos të u jepet hapësirë më e madhe për çështje të sigurisë. Të dalin persona të cilët ose janë pjesë si palë e dëmtuar ose janë ata të cilët brenda momentit nuk kanë numëru deri në 10 dhe kanë bërë ndonjë veprim anti-ligjorë, dhe ti tregojnë përvojat e tyre për arsye se edhe pala e vrarë edhe pala që e ka kryer vrasjen të dy palët janë palë humbëse, për shkak se njëri nuk zgjohet kurrë dhe tjetrit i privohet liria deri në fund të jetës”, tha Gashi.
Si një avokate me përvojë 18-vjecare, Gashi – Bytyqi na tregon se ekzistojnë tri lloje te vrasjeve.
Vrasje me afekte mendore, vrasje e rëndomtë dhe vrasje e rëndë.
Gashi – Bytyqi cilëson se të tri rastet e ndara në Prishtinë, Klinë dhe Skenderaj rastet do të cilësohen si vrasje të rënda dhe dënimi është 10 deri 25 vjet ose burgim i përjetshëm.
Tutje, avokatja thotë se vrasjet ndodhin në çdo shoqëri, ndërsa për vrasjet e fundit në Kosovë, një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe prokuroria dhe gjykata.
“Vrasjet ndodhin në çdo shoqëri, në çdo periudhë kohore, por këto vrasjet e shpeshta që ndodhën në këtë verë na tronditën të gjithëve. Natyrisht një pjesë e përgjegjësisë i vihet prokurorisë dhe gjykatës, për shkak se nëse personat eventualisht kanë kryer vepra penale të rënda e se kodi i procedurës penale lejon që personi të mbrohet në liri dhe ndaj tij të zhvillohet procedura penale e në raste të tjera ka raste që derisa të kryhet krejt gjykimi, personat qëndrojnë në paraburgim dhe krejt qëllimi është që ata derisa të qëndrojnë në paraburgim një far mënyre të vetëdijesohen sepse rënia në kundërshtim me ligjin do të thotë privim i lirisë së tyre”, tha Gashi.
Sipas avokate, shpesh herë gjykata vepron në mënyrë selektive, duke i lënë prapa grilave personat që kanë shumë pak faj, ndërsa personat seriozisht të fajshëm u caktohet një masë e paraburgimit ose gjykohen në liri.
Gjatë një përvoje të gjatë 18-vjecare si avokate, Gashi – Bytyqi nuk ka hequr dorë asnjëherë nga asnjë lëndë që ka marr.
“Jo asnjëherë nuk jam tërheq nga ky rast, përveç kur pala e akuzuar e kam mbrojtur me vite por ata kanë dashur un me ju jep një kënaqësi momentale edhe kanë provu mu me m’bind se një familjar i tyre është i pafajshëm ndërsa un provat i kisha të tjera. Kam pasur dy apo tri raste kur jam tërheq nga presionet profesionale që mu kanë bo. Një rast jam tërheqë kur e kam mbrojt një gru që është dyshu se ka kry vrasje edhe mandej bashkëshorti i saj me çdo kusht ma ka kërku landën, ka dashtë me i ditë detajet se çfarë ka ndodh”, tha Gashi.
Edhe përkundër presionit, Gashi – Bytyqi ka respektuar ligjin e Republikës së Kosovës duke mos e shkelur privatësinë e klientit në asnjë rast.
“Nuk kom pranu me ja dhanë landën më ka ba shumë presion edhe jam tërheq. Por edhe kur jam tërheq ja kom dorëzu sipas ligjit mbi avokatinë klientit tjetër”, tha Gashi.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka nisur zbatimin e planit operativ “Goditja” në të gjithë territorin e Kosovës.
Ky aktivitet i policisë, është fokusuar kryesisht në zonat urbane, në pjesët ku ka shumë lokale të natës e kafiteri dhe në vende ku frekuentohen shumë persona.
Deri me tani, ka rezultuar në arrestimin e qindra personave, konfiskimin e armëve të ndryshme, e kontrolleve të shumta si brenda veturave ashtu edhe në lokale të ndryshme. /Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Anëtarët e Komisionit hetimor dorëzojnë dosje për MPJD-në në...
Gjesti-Xhenetës: Ose po e përkrahim njëri-tjetrin, ose po e ...
Banka Qendrore e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit
Rama: Vetëm këtë vit në kryeqytet janë mbjellë 30 mijë kuror...
Tayna lanson projektin e ri muzikor “Obsesion”
Ndërron jetë papritmas Aulon Grabovci, nipi i politikanit të...