Takimi i 18 gushtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përfundoi me rezultatin e marrëveshjes për njohjen e dokumenteve identifikuese të të dy vendeve kur kalojnë në Kosovë dhe Serbi.
Këtë marrëveshje e konfirmoi para pak ditëve Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, spanjolli Josep Borrell, i cili deklaroi se nga 1 shtatori qytetarëve të Kosovës do t’u njihen dokumentet identifikuese kur ata të kalojnë brenda territorit të Serbisë, dhe kështu, nuk ka nevojë që të hyjë në fuqi vendimi i paralajmëruar nga qeveria e Kosovës për të mos i lejuar qytetarët serbë që të hyjnë në Kosovë me dokumente serbe, vendim ky që solli mjaft ‘probleme’ në veriun e Kosovës. Gjithsesi, ky vendim tani bie poshtë pas marrëveshjes së fundit të arritur në kryeqytetin evropian.
Nga qeveria, këtë marrëveshje po e konsiderojnë historike, ndërsa opozita thotë se kjo marrëveshje është arritur në vitin 2011 nga ish-kryeministri Thaçi, dhe tani, sipas tyre dialogu ka rrëshqitur në bisedime për çështje teknike, pa arritur që të finalizohet me një marrëveshje përfundimtare.
E pala serbe, këtë marrëveshje e sheh si lehtësim të procedurave për individë të cilët për çështje pune detyrohen shpesh që të kalojnë nëpër territoret e dy vendeve, e aspak si njohje të shtetësisë së Kosovës.
Njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, ka deklaruar për arbresh.info se kjo marrëveshje nuk është aspak në të mirë të Kosovës, kjo pasi që përderisa qeveria e Kosovës po mburret për reciprocitet, në hyrje të Serbisë nga Kosova është vendosur një deklaratë ‘naziste’ nga shteti serb, e cila shqiptarët i trajton si individë e jo si popull, ndërsa në Kosovë nuk është vendosur asgjë për serbët, madje, ironizon me qeverinë duke përmendur fjalën serbe ‘Dobrodosli’.
“Në kufirin serb shqiptarët e Kosovës i pret kjo fyerje e rëndë: “Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova*) bëhet vetëm për arsye praktike, për lehtësimin e pozitës së individëve dhe që të mundësohet liria e lëvizjes e arritur me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes të arritur në vitin 2011, nuk guxon të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës, së shpallur njëanshëm, nuk prejudikon përcaktimin e statusit final të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si heqje dorë e Beogradit nga Rezoluta 1244 (1999)”. Me këtë deklaratë naziste u thuhet se janë individë e jo popull, se vijnë nga një tokë pa status, e jo shtet. A e di kush çka do të shkruhet në kufirin e Kosovës për serbët? “Dobrodoshli!”Reciprocitet a?”.
Tutje, profesori universitar thotë se reciprociteti që proklamon Kurti është “idiotizëm”, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk guxojnë që në kufi me Serbinë t’i tregojnë letërnjoftimet e Kosovës sepse ato u konfiskohen menjëherë, kurse serbët e Kosovës mund të hyjnë në Kosovë lirshëm me dokumente serbe.
“Qe qysh është reciprociteti i Kurtit: shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk guxojnë t’i tregojnë në kufi të Serbisë letërnjoftimet e Kosovës, sepse në çast u konfiskohen dhe fshihen nga regjistrat. Ndërsa serbët e Kosovës, pra të Kosovës, mund të hyjnë e të dalin me letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia. A po i thoni qitij idiotizmi reciprocitet?”
E, analisti Sadri Ramabaja ka një perceptim krejtësisht të kundërt me Krasniqin. Ramabaja deklaroi se kjo marrëveshje hap një kapitull historik për Kosovën, me theks të veçantë reciprocitetin mes dy vendeve. Madje, ai shkon edhe më larg duke e krahasuar kryeministrin Kurti dhe kundërshtimet e opozitës me Skënderbeun dhe ‘luftën’ e tij me Perandorinë Osmane dhe princat shqiptarë të asaj kohe.
“Reciprociteti ashtu siç ishte premtuar edhe gjatë fushatës elektorale nga ana e VV, bëhet fryma e zgjidhjeve parimore në relacionet Kosovë-Serbi. Beteja e Prishtinës me Portën e Lartë, alias Beogradin, i ngjet asaj të vitit 1444 që kishte Skënderbeu me Sulltan Muratin e II-të. Derisa Gjergji ynë kishte marrë nën kontroll qytetin e Sfetigradit, që do t’i shërbente si pikë vrojtuese në lindje të Arbërisë, ai njëkohësisht detyrohej t’i kushtonte rëndësi të veçantë edhe menaxhimit të xhelozisë së princërve shqiptarë dhe smirës së tyre tek shihnin ngritjen e Shtetit të Arbërit nën flamurin e Gjergjit! Duke i përcjellë reagimet e opozitës në Prishtinë, e sidomos zgjatimit të saj – BSPK-së, që aq shumë tashmë i ngjet kartelave të krimit, nuk ka se si të mos kthehet ora e historisë në motin 1444, atëbotë kur po fillohej ngritja e Shtetit Shqiptar.”
Për të, tani Kosova, me këtë marrëveshje ka kaluar nga pozita inferiore që kishte dikur në raport me Serbinë, në barazi të plotë. E gjithë kjo, sipas tij, falë insistimit të kryeministrit Kurti dhe aleancës së fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Aleanca e selitur me Perëndimin dha rezultatet e mira që garantojnë RECIPROCITETIN në raport me Serbinë. Me këtë akt Republika garanton kalimin nga pozicioni i inferioritetit që kishte në tavolinën e bisedimeve dhe imponimit të asimetrisë në dialog, në atë të barazisë. Marrëveshja e arritur për dokumentet e udhëtimit megjithatë, është produkt i thellimit të bashkëpunimit në relacionin Prishtinë-Uashington dhe kjo falë insistimit të kryeministrit Kurti.”
Zbatimi i marrëveshjes së arritur më 18 gusht, pritet të fillojë nga dita e enjte, pra, nga 1 shtatori, ku të dy shtetet janë të obliguara që këtë marrëveshje ta zbatojnë edhe në praktikë, ndonëse paraprakisht një marrëveshje e njëjtë ishte arritur edhe para 11 viteve, por që asnjëherë nuk kishte filluar të zbatohej nga pala serbe./arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...