Google ADS

Rritet përdorimi i cigareve elektronike në Kosovë| IKSHPK-ja tregon për rreziqet

09:59 | 12 Mars 2023
A Z

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me alarmet nga disa vende për rreziqet që po shkakton përdorimi i cigareve elektronike.

Në vendin tonë përdorimi i cigareve elektronike është kthyer në një trend për të rinjtë në Kosovë.

Në një përgjigje për “Arbresh.info” nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thonë se edhe pse cigaret elektronike nuk përmbajnë duhan, janë të dëmshme për shëndetin.

Sipas IKSHPK-së, ndikimet afatgjate të përdorimit të tyre ose ekspozimit ndaj tyre janë ende duke u hulumtuar.

“Sistemet elektronike të shpërndarjes së nikotinës (ENDS) dhe sistemet elektronike të shpërndarjes pa nikotinë (ENNDS), janë pajisje të njohura si cigare elektronike, që ngrohin një lëng për të krijuar një aerosol i cili më pas thithet nga përdoruesi. Këto mund të përmbajnë ose jo nikotinë. Përbërësit kryesorë të këtij lëngu për nga vëllimi janë glikol propilen, me ose pa glicerinë, dhe aromatizues. Edhe pse cigaret elektronike nuk përmbajnë duhan, janë të dëmshme për shëndetin. Megjithatë, ndikimet afatgjate të përdorimit të tyre ose ekspozimit ndaj tyre janë ende duke u hulumtuar”, thuhet në përgjigjen nga IKSHPK-së.

Tutje IKShPK-ja, shton se këto cigare janë të rrezikshme veçanërisht kur përdoren nga fëmijët dhe gratë shtatzëna.

“Cigaret elektronike janë veçanërisht të rrezikshme kur përdoren nga fëmijët dhe adoleshentët. Nikotina krijon varshmëri ndërsa truri zhvillohet deri në moshën mbi njëzet vjet. Cigaret elektronike me nikotinë (ENDS) rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe çrregullimeve të mushkërive. Ato paraqesin rreziqe të konsiderueshme edhe për gratë shtatzëna që i përdorin, pasi mund të dëmtojnë zhvillimin e fetusit”, thuhet tutje në përgjigje.

Megjithatë, nga IKSHPK thonë se marketingu i cigareve elektronike në vendin tonë është rrit me shpejtësi, madje është promovuar se është metodë e mirë për ta lënë duhanin, e sipas tyre kjo ka ndikuar në informim jo të drejtë tek qytetarët se kjo cigare nuk dëmton shëndetin.

“Reklamimi, marketingu dhe promovimi i cigareve elektronike me nikotinë (ENDS) është rritur me shpejtësi, sidomos përmes rrjeteve të internetit dhe mediave sociale. Pjesa më e madhe e marketingut të këtyre produkteve shkakton shqetësim për shkak të informimit jo të drejtë se cigarja elektronike nuk dëmton shëndetin, se është metodë e mirë për ta lënë duhanin, si dhe promovon përdorimin e cigareve elektronike me aroma”, thuhet më tej në përgjigjen e IKSHPK-së.

Hoxha: Cigarja elektronike shkakton dëmin e njëjtë sikur cigarja e zakonshme

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës (QKUK), Musa Hoxha thotë se cigarja elektronike dëmton rënd shëndetin njësoj sikur cigarja e zakonshme.

“Në shëndetin e njeriut edhe cigarja elektrike ndikon njësoj si cigarja tjetër e zakonshme, vetëm se nëpër teste shkruan se 20 për qind më pak liroza, por prapë të njëjtë përbërës lirohen” , thotë Hoxha për arbresh.info.

Ai thotë se gjatë pirjes së cigares lirohen 4 mijë substanca elektrike, dhe 260 komponime kimike, ku 53 prej tyre janë kancerogjene.

“Gjatë pirjes së kësaj cigare elektrike, lirohen 4 mijë substanca elektrike, 260 komponime kimike, dhe 53 prej tyre janë kancerogjene, vetëm më një përqindje më të ulët se sa te cigarja e zakonshme”, shprehet ai.

Pulumogu Hoxha  ka edhe një këshillë për gjithë përdoruesit e kësaj cigareje, ku thotë që të mos përdoret asnjëra cigare, pasi dëmtojnë shumë rëndë shëndetin.

“Mos të përdoret asnjëra cigare, pasi dëmtojnë shumë rëndë shëndetin”, përfundon Hoxha.

Thaçi: Të gjitha produktet e duhanit kontrollohen nga AUV

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), thotë se të gjitha produktet e duhanit, duke përfshirë edhe ato elektronike, kontrollohen nga inspektorët fito- sanitar në kufi.

“Duhani dhe produktet e duhanit, ku hyjnë të gjitha llojet e cigareve duke përfshirë edhe ato elektronike. Të cilat me kod doganorë përcaktohen t’i nënshtrohen kontrollit të inspektoratit të AUV-së kontrollohen nga inspektorët fito-sanitar në kufitar”, deklaron Thaçi

Tutje, Thaçi tregon se çdo ngarkesë duhet të vijë me dokumentacion të kompletuar sipas rregullave ligjore për tregtim të mallrave, dhe kur të plotësohen të gjitha kriteret ligjore, produkti lejohet të hyjë brenda.

“Çdo ngarkesë duhet të vijë me dokumentacion të kompletuar sipas rregullave ligjore për tregtim të mallrave. Kontrollohet përputhshmëria e tyre me produktin në ngarkesë. Kur të plotësohen të gjitha kriteret ligjore produkti lejohet të hyjë brenda vendit për qarkullim në treg dhe shitje”, thotë ai.

Se këto cigare blihen pa asnjë lloj problemi, e thotë edhe qytetarja S.SH, ku tregon se e blen në çdo market, dhe kushton prej 7 euro e më lart, varet nga shija.

“Në çdo market e blejë pa problem, çmimi është 7 euro e lartë krejt varet çfarë shije e përzgjidhi”, tregon ajo.

Ndryshe, të gjitha këto cigare elektronike në makete vendosën afër arkës.

Ligji i duhanit dhe aktet tjera normative e rregullojnë edhe çështjen e cigareve elektronike duke u bazuar në përmbajtje të produktit.

Kujtojmë se përmbajtja e cigareve elektronike mund të shkaktojë dëmtime në zemër dhe në mushkëri, dhe personat që e përdorin janë më të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare. /Arbresh.info/ Kujtesë Berisha/

Të ngjashme