Google ADS

Raporti për Kosovën vlerëson progresin dhe kritikon ngecjet

13:13 | 8 Nëntor 2023
A Z

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2023.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023 vlerëson se Kosova shënuar progres në disa fusha. Në këtë raport përmendet progresi në reformën zgjedhore, ndërsa ka kufizime në progres në luftën e krimit e korrupsionit e fushën e arsimit.

Ky raport kritikon punën e Kuvendit që nuk ka arritur ta përmbush agjendën e tij.

Raporti, i cili përfshin periudhën qershor 2022 deri qershor 2023, përfshinë edhe rastin e Banjskës. Nga zyrtarë evropianë sqarohet se sulmi në Banjskë nuk është quajtur terrorist nga ana e BE-së, për shkak të legjislacionit të shteteve anëtare se si i quajnë sulmet e tilla. Raporti e vlerëson këtë akt si ‘sulm të dhunshëm’. Përmes këtij raporti, Komisioni Evropian kërkon që Serbia duhet të bashkëpunojë për hetime të mëtutjeshme për sulmin e Banjkës. Bëhet me dije se BE-ja e ka marrë raportin preliminar për rastin e Banjskës nga Ministria e Punëve të Jashtme edhe për këtë është duke e shikuar atë.

Po ashtu, në raport është përmendur edhe çështja e targave si dhe tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, që ndodhën në nëntor të vitit 2022 dhe mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill të vitit 2023.

“Përkundër Marrëveshjes së madhe në rrugën drejt normalizimit të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe Aneksin e zbatimit të tij të dakorduar në Ohër më 18 mars, dhe përkundër se Kosova zgjati afatin për regjistrim të kandidatëve për zgjedhjet në veri, jo të gjitha partitë dhe komunitetet përdorën të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Dalja shumë e ulët (3.47 për qind), pas bojkotit nga serbët e Kosovës, tregoi se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike për ato komuna. Mbetet imperativ që të rikthehet një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, të organizuar në mënyrë të plotë e gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.

Në raport, një pjesë i kushtohet edhe medieve në Kosovë, duke përfshirë edhe transmetuesin publik. “Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nuk është i përfshirë në procesin e rishikimit legjislativ për projektligjin për RTK-në”, thuhet në raport.

Në Raport përmendet çështja e buxhetit të RTK-së, i cili nuk është ndryshuar dhe ka mbetur i njëjtë me vitet paraprake.

“Ndarja buxhetore e RTK-së mbeti nën shumën e përcaktuar me ligj në Ligjin për ndarjet buxhetore, duke e shtyrë RTK-në të vlerësojë mundësitë për financim me pjesëmarrje dhe një riorganizim të strukturës së brendshme”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023. Në raport përmendet edhe reagimi i shoqërisë civile për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së të kanaleve në gjuhen shqipe, si dhe nënshkrimi i një kontrate të RTK-së me Ministrinë e Kulturës.

Po ashtu, ky raport flet për ekonominë në Kosovë. “Autoritetet e Kosovës vazhduan të bëjnë përparim në menaxhimin e migracionit dhe janë angazhuar me BE-në për zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor të paraqitur në dhjetor 2022 nga Komisioni. Hapat duhet të jenë ndërmerren për të harmonizuar më tej legjislacionin, përfshirë Ligjin për të huajt, me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në raport.

“Rimëkëmbja ekonomike u moderua ndjeshëm në vitin 2022. Kjo ishte kryesisht për shkak të rënies së investimeve dhe ngadalësimit rë rritjes së konsumit të familjeve në kurriz të inflacionit të lartë, sidomos pas fillimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Pavarësisht qëndrueshmërisë, ekonomia ka treguar gjatë krizave të fundit se sektori privat vazhdon të jetë i penguar nga sfidat strukturore të gjata, si p.sh. një ekonomi informale e përhapur, një nivel i lartë i përhapjes së korrupsionit dhe sundimi i përgjithshëm i dobët i ligjit”, thuhet në raport./rtk

Raportin e plotë e gjeni KETU.

 

 

 

 

Të ngjashme