PDK-ja i fton të gjithë deputetët ta votojnë nesër Projektligjin për Trustin

13:36 | 15 Qershor 2022
Fjolla Bajraktari

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar nga deputetët e të gjitha partive politike që nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro pikës për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të cilët nga fillimviti 2020 po përballen me krizën financiare.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu lidhur me këtë çështje ka kritikuar Qeverinë Kurti për zvarritje të trajtimit të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, që do të mundësojë tërheqjen e 10 deri në 30 për qind të kursimeve, varësisht nga të hyrat e individëve.

“Nesër është dita 100-të prej kur ne e kemi dorëzuar projektligjin për Trustin ne Kuvend. Pushteti i Albin Kurti në vazhdimësi e ka shtyrë trajtimin e këtij projektligji, duke shkelur edhe rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Kjo shtyrje është bërë me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët për të mos e votuar një kërkesë të qytetarëve që ju mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Derisa miratimi i Projektligjit për Trustin është shtyrë plot 100 ditë, kriza ekonomike ka shkuar duke u thelluar edhe më shumë”, tha Haxhiu.

Ai tha se me miratimin e këtij projektligji përfitojnë rreth 700 mijë qytetarë që kanë kursime në Trust, ndërsa propozoi që Qeveria përmes buxhetit të shtetit të mbështesë me nga 100 euro në vazhdimësi rastet sociale, të papunët dhe pensionistët, deri në hartimin e përbashkët të reformës pensionale.

“Andaj, si deputet në emër të PDK-së, ftoj të gjithë deputetët, pa dallim, pozitë dhe opozitë që ta mbështesin me votë Projektligjin për Trustin, ata janë përfaqësues të qytetarëve, të zgjedhur me votë nga qytetarët dhe duhet të votojnë për kërkesën e qytetareve që ju mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Pas publikimit te deklarimit të pasurisë e kemi parë që shumë politikanë dhe familjarët e tyre kanë tërhequr vetë mjetet nga Trusti, dhe është e pamoralshme që këtë t’ua ndalojnë tani qytetarëve.”, tha ai.

Ndërkaq, anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj tha se kjo qeverisje mashtruese dhe pa alternativë, çdo ditë po e varfëron qytetarin e Republikës së Kosovës.

“Në këtë situatë ku Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të lehtësuar jetën e qytetarëve, e vetmja zgjidhje për qytetarët ka mbetur tërheqja e mjeteve të kursimit në Fondin e Kursimeve Pensionale. Ne do të donim që Qeveria në këtë periudhë krize, kur çdo ditë ka rritje të çmimeve të ndërmerrte veprime urgjente për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve, por kjo nuk po ndodhë.”, theksoi Hadergjonaj./arbresh.info/

Të ngjashme