Në 25 vjetorin e masakrës në Qyshk, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te pllaka përkujtimore e ngritur në nderim të të vrarëve nga forcat e armatosura nga forcat e armatosura të Serbisë në mëngjesin e 14 majit të vitit 1999.
“Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë, andaj Serbia duhet të jap përgjegjësi. Për këto krime, dëbimin e civilëve shqiptarë, shkatërrimin e pronave, vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme. E drejtësia ka bërë hapa shumë të vegjël e të ngadaltë”, tha kryeministri Kurti, shkruan Arbresh.info
Kryeministri Kurti tha se qëllimi i Serbisë në Kosovë ka qenë shfarosja e shqiptarëve, por siç theksoi, ne jemi në tokën tonë, më shumë se para 25 vitesh, e shumë më të fortë se sa para 25 viteve.
“Ne kemi mbijetuar si popull dhe kemi qëndruar të fortë. Nga hiri i luftës jemi ngritur me jetën e re në liri. Së bashku çdo ditë po e forcojmë Republikën tonë, duke punuar me përkushtim e dashuri”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se çdo 14 maj përkujtojmë martirët e Qyshkut dhe të fshatrave përreth. Gjatë periudhës 25 mars – 14 maj 1999, në Qyshk janë vrarë 44 persona. Më i riu ishte 18 vjeç, e më i moshuari 91 vjeç.
Në këto homazhe, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilja Rexhepi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të dashura nëna dhe familjarë të dëshmorëve e martirëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
E nderuar zonja Emilia Rexhepi, zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës,
I nderuar gjeneral Agim Ҫeku, ish–Kryeministër i Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
I nderuar kryetar i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri,
I nderuar Baca Rexhep Fazlija,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të dashura motra dhe vëllezër,
Përgjatë rrugës për këtu, fushat ishin plot me lulëkuqe. Sikurse në majin e vitit 1999. Edhe pas 25 vitesh, zemrat janë plot me dhembje dhe mall.
Çdo 14 maj përkujtojmë martirët e Qyshkut dhe të fshatrave përreth. Gjatë periudhës 25 mars – 14 maj 1999, në Qyshk janë vrarë 44 persona. Më i riu ishte 18 vjeç, e më i moshuari 91 vjeç.
Sot kujtojmë mbi 120 shqiptarë civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.
Ju që e keni përjetuar luftën këtu, i keni kujtimet e mëngjesit të 14 majit, kur rreth orës 7:30, forcat e armatosura të Serbisë, hynë në fshat. Ishin rreth 100 pjesëtarë të armatosur, të maskuar e me fytyra të ngjyrosura me të zezë.
Ju dëbuan me dhunë nga shtëpitë, ju mblodhën në qendër të fshatit. Ua grabitën paratë dhe stolitë e arit. Ua grisën dhe dogjën dokumentet e identifikimit personal. Pasi i ndanë nga gratë dhe fëmijët, burrat i dërguan në tri shtëpi. Para se të gjuante, njëri nga ushtarët serb bërtiti: “Në emër të Serbisë!” Menjëherë ushtarët e tjerë lëshuan breshëri plumbash mbi burrat e djemtë. Pastaj iu vunë flakën shtëpive me trupat e pajetë brenda.
Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë, andaj Serbia duhet të jap përgjegjësi. Për këto krime, dëbimin e civilëve shqiptarë, shkatërrimin e pronave, vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme. E drejtësia ka bërë hapa shumë të vegjël e fort të ngadaltë.
Për disa prej këtyre vrasjeve, në vitin 2010 në Beograd u ngrit një aktakuzë për 11 anëtarë të Detashmentit të 177-të të ushtrisë territoriale të Ushtrisë Jugosllave, të njohur si “Çakallët”. Dëshmuan 116 dëshmitarë. Në aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Shumica e trupave të viktimave u dogjën, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit.
Vetëm tre javë më parë, më 24 prill sivjet, shtatë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave u dënuan për krime lufte të kryera në këtë masakër. Predrag Vukoviqi u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiqi me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet burgim secili. Vetëm, Toplica Miladinoviq, është dënuar më dënim maksimal, e atje maksimal është 20 vjet. kjo do të thotë që vetëm 56 vjet burg për 118 të vrarë, siç thuhet edhe në aktakuzë. Kjo është edhe një dëshmi se rruga drejt drejtësisë së plotë mbetet ende e gjatë.
Të gjitha krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit e të gjenocidit, me kryerësit e urdhërdhënësit e tyre duhet të dalin para drejtësisë. Kosova nuk mund të falë e as të harrojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
Mund të mos e dimë për shumë nga kriminelët nëse janë të gjallë apo të vdekur sot, por ajo që dimë është se ata kanë ikur. Ata që kanë dashur shfarosjen tonë, dështuan dhe u arratisën.
Qëllimi i Serbisë në Kosovë ka qenë shfarosja e shqiptarëve. E kanë dashur tokën tonë pa neve, por ja ku jemi ne në tokën tonë. Më shumë se para 25 vjetëve, e shumë më të fortë se sa para 25 vjetëve.
Ne kemi mbijetuar si popull dhe kemi qëndruar të fortë. Nga hiri i luftës jemi ngritur me jetën e re në liri. Së bashku, çdo ditë, po e forcojmë Republikën tonë, duke punuar me përkushtim e me dashuri. Po angazhohemi për të ardhmen, pa e harruar të kaluarën, në mënyrë që asnjë brez tjetër të mos e përjetojë as për së afërmi atë çfarë e kemi jetuar dhe mbijetuar ne.
E aftë për të mbrojtur qytetarët e vet dhe e përkushtuar për të krijuar mundësi të barabarta për secilin e për secilën, Republika e Kosovës, e orientuar kah NATO-ja, dhe Bashkimi Evropian, bashkë me Shqipërinë, është jetësim i idealeve të të rënëve për liri. Po vazhdojmë të shtojmë pajisjet, aftësitë dhe buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ushtrinë tonë dhe për rendin e ligjin kudo, për Policinë tonë.
Po qëndrojmë të bashkuar në dhembje dhe në shpresë dhe po afrohemi gjithnjë e më shumë. Tashmë po punohet me intensitet të lartë në kuadër të zgjerimit të rrugës nacionale N9, në këtë arterie tejet të rëndësishme infrastrukturore që e lidhë kryeqytetin e Republikës, me anën perëndimore të vendit tonë. Pas segmentit Kijevë-Dollc, vjen ai Dollc-Zahaq, për të cilin kemi ndarë 90 milionë euro.
Ecim përpara në rrugën e zhvillimit e të barazisë, pa e harruar të kaluarën tonë dhe drejtësinë e munguar.
Të dashura motra dhe vëllezër,
Fushat e Qyshkut janë të mbuluara me lulëkuqet e gjakut. Me këto lule që janë simbol i përkujtimit, paqes e qëndresës. Sikur edhe natyra na bashkohet në këtë përkujtim, me lulet që mbijnë në tokën e lirë. Sepse të rënët për liri nuk harrohen kurrë. Gjaku i tyre nuk humbet. Kujtimi për ta është i përjetshëm.
Lavdi të gjithë të rënëve, martirëve e dëshmorëve, në rrugën e lirisë!
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa
Chiesa rikthehet në Itali, afër gjigantit italian
Bedri Hamza në Zvicër: Diasporën do ta kemi edhe në Kuvend d...
Ishte në kërkim nga drejtësia, arrestohet një 40 vjeçar në H...