Google ADS

Kosova e pa fuqishme të ruaj likuiditetin financiar pa rezerva të arit

09:02 | 10 Mars 2022
A Z

Kosova është shteti i vetëm në rajon, që nuk ka rezerva të arit. Derisa ekzekutivi nuk kanë ndonjë plan në lidhje me këtë çështje, sipas ekspertëve, rezervat e arit do ta ruanin likuiditetin financiar në vend  dhe  trendin e rritjes së çmimeve.

Në Qeverinë e Kosovës nuk arrijnë të përgjigjen nëse kanë ndonjë plan të deponojë rezerva të arit në Bankën Qendrore.

Sipas ekonomistit Mustafë Kadriaj, edhe kjo qeveri, sikurse ato paraprake nuk kanë në plan këtë çështje.

“Për fat të keq edhe qeveria aktuale nuk ka deponim për zhvillim ekonomik por vetëm arsyetim dhe shfajësim te mos punës se tyre duke renduar jetën ekonomike ne vend. Duke marr parasysh krizën botërorë e cila brenda javës ose dite ndikon në ekonominë tonë do të ishte shumë e nevojshme një sasi e arit në Bankën Qendrore e cila do e ruante likuiditetin financiar në vend  dhe  trendin e rritjes se çmimeve”, vlerëson Kadriaj.

Ai thekson se është për të ardhur keq që Kosova nuk ka rezerva shtetërore.

“Pra të gjitha pasurit nëntokësore që disponon Kosova,  ku ndër to edhe ari, ne nuk kemi as për treg të brendshëm e më e keqja, që si shtet nuk disponojmë sasi të arit, sasi e cila do e ulte riskun e likuiditetit financiar po ashtu dhe tregtar”, deklaron Kadriaj për arbresh.info.

Sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Arit, Shtetet e Bashkuara kanë rezervat më të mëdha të arit – 8,133 ton, që është pothuajse 78 për qind e totalit të rezervave valutore të vendit.

Pas saj vjen Gjermania me 3,359 ton dhe Italia dhe Franca me më shumë se 2,000 ton ar.

Sasi të konsiderueshme ari në dekadën e fundit kanë blerë Rusia dhe Kina, të cilat zënë vendin e pestë dhe të gjashtë në listën botërore./V.Selimi/arbresh.info/

Të ngjashme