EKSKLUZIVE/ Çdo gjë nën kontroll-Me dron e armë të gjata NjRSh e Policisë së Kosovës monitoron gjithçka në veri

14:09 | 17 Maj 2024
A Z

Armë të gjata, vetura të blinduara, e dron, janë disa nga pajisjet që Njësia e Reagimit të Shpejtë (NjRSh) i Policisë së Kosovës posedon gjatë patrullimeve në veri të Mitrovicës.

Ecja nëpër male me armë në duar, mbikëqyrja në pika të caktuara për të kontrolluar çdo cep në Mitrovicën e Veriut, pjesëtarët e këtij njësiti janë të gatshëm të përballen me gjithçka për të garantuar sigurinë në çdo pëllëmbë vendit.

Kërkesa e ekipit të portalit Arbresh.info për të parë nga afër një ditë punë të Njësitit të Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës u pranua.

Ne u nisem drejt veriut për tu takuar me pjesëtarët e këtij njësiti, për të vazhduar pastaj për në fshatin Banjskë, për të vëzhguar monitorimet e tyre nga afër dhe sfidat e mundshme me të cilat mund të përballen gjatë kryerjes së detyrës.

Gjatë rrugës, ne biseduam me disa anëtarë të njësitit, ndërsa mbikëqyrësi i këtij njësiti Artan Mahmuti na tregon sfidat dhe përvojat në terren.

“Unë jam Artan Mahmuti, jam mbikëqyrës në Njësinë e Reagimeve të Shpejta (NjRSh), në Mitrovicë të Veriut Momentalisht gjendemi në Zveçan jemi duke vazhduar në drejtim të fshatit Banjskë”, shprehet ai.

Arritëm në Banjskë. Policia fillon me monitorimet e saj, duke vëzhguar këtë pjesë të territorit, për të parandaluar kontrabandimin e mundshëm, apo çfarëdo rreziku që mund t’i kanoset vendit.

Ishte e qartë se përkushtimi i njësitit për të mbajtur rendin dhe për të siguruar një mjedis të sigurt ishte maksimal.

Mbikëqyrësi i këtij njësiti, Artan Mahmuti, na tregon se kjo zonë patrullohet me veturë dhe kombi, varësisht nga konfiguracioni i terrenit.

“Kjo zonë patrullohet me veturë dhe me kombi, varësisht nga konfiguracioni i terrenit ashtu edhe patrullojmë i përshtatemi kushteve. Njësi kemi aq sa janë të nevojshme momentalisht duke e marrë parasysh situatën kapacitete kemi të mjaftueshme”, pohon Mahmuti.

Gjithashtu, ai tregon se përveç veturave kjo pjesë monitorohet me kamera dhe dron.

“Kjo pjesë monitorohet nga kamerat, dronët dhe nga patrullimet me këmbë dhe me veturë. Natyrisht duke e marr parasysh situatën momentalisht janë të mjaftueshme po besoj dhe është gjithçka në rregull”, pohoi ai.

Ai bëhet gati të shohë nëse është duke u zhvilluar ndonjë aktivitet ilegal. Përmes dronit, policia po kontrollon këtë zonë të banuar me shumicë serbe. Nevoja për kontroll më efikas të kufirit në veri është rritur nga sulmi i 24 shtatorit atë ditë ku një grup i armatosur ku morën pjesë edhe serbët e Kosovës sulmuan Policinë e Kosovës ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku.

Sulmuesve ju bë ndihmesë edhe kufiri i brishtë. Pas sulmit në Banjskë në vijën kufitare me Serbin është shtuar prania e njësiteve policore të Kosovës.

Sipas tij, falë këtij droni të sofistikuar është lehtësuar puna dhe monitorimi i zonës bëhet shumë më i lehtë pavarësisht konfiguracionit.

 

 

“Siç e dini teknologjia ka avancuar si çdo herë natyrisht së bashku me teknologjinë edhe Policia e Kosovës  ka bërë investimet e duhura, siç po e shikoni patrullimi po realizohet me dron si dhe bëhet monitorim i zonës pavarësisht konfiguracionit dhe terrenit fal këtij droni. Dronët janë edhe termik natyrisht që me të mund të operojmë edhe gjatë natës. Janë shumë të sofistikuar natyrisht që na kanë lehtësuar punën jashtëzakonisht shumë”, përfundoi Mahmuti.

Menaxhimi i kufirit Kosovë-Serbi ishte pjesë e një marrëveshjeje politike në Bruksel. Kufijtë zyrtar i ruan KFOR-i misioni i NATO-së në Kosovë. E sipas një vendimi të KFOR-it Policisë së Kosovës i lejohet patrullimi i vijës kufitare deri në një kilometër larg vijës që ndan dy  shtetet./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme