Kosova pritet që këtë të enjte të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që është organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinent.
Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e tubimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Ajo ka nisur fushata për çështje të tilla si mbrojtja e fëmijëve, gjuha e urrejtjes në internet dhe të drejtat e romëve, pakicës më të madhe në Evropë. Këshilli i Evropës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme gjyqësore. Grupi i tij i ekspertëve kushtetues, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për vendet në mbarë botën.
Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut nëpërmjet konventave ndërkombëtare, të tilla si Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Ai monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime përmes organeve të pavarura të ekspertëve monitorues. Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk e zbatojnë më dënimin me vdekje.
KE-ja përfshin 46 shtete anëtare, 27 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një traktat i krijuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Këshilli i Evropës u krijua më 5 maj 1949 nga 10 vende: Belgjika, Danimarka, Franca, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, të cilave iu bashkuan Greqia dhe Turqia në gusht 1949.
Tani ka 46 shtetet anëtare: Islanda dhe Gjermania (1950), Austria (1956), Qipro (1961), Zvicra (1963), Malta (1965), Portugalia (1976), Spanja (1977), Lihtenshtajni (1978), San Marino (1988) , Finlanda (1989), Hungaria (1990), Polonia (1991), Bullgaria (1992), Estonia, Lituania, Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia, Rumania (1993), Andorra (1994), Letonia, Shqipëria, Moldavia, Ukraina, “ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”(1995), Kroacia (1996), Gjeorgjia (1999), Armenia dhe Azerbajxhani (2001), Bosnja dhe Hercegovina (2002), Serbia (2003), Monako (2004) dhe Mali i Zi (2007).
Selia e KE-së është në Strasburg të Francës, teksa gjuhët zyrtare janë anglisht dhe frëngjisht.
Këshilli i Evropës financohet nga shtetet anëtare, teksa kontributet bazohen në popullsinë dhe pasurinë./KK/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...