Pas 30 vjetëve erdhi nga Finlanda për t’i dalë në ndihmë qeverisjes lokale, aty ku lindi. Lulzim Bexheti, kandidati i pavarur për kryetar në Komunën e Gjilanit, ka dhënë një intervistë ekskluzive për arbresh.info. Në këtë intervistë, është diskutuar për kandidimin e Bexhetit në Gjilan, arsyet që e sollën deri në këtë vendim dhe objektivat që synon t’i arrijë.
1. U kthyet nga Finlanda, ku keni një jetë të mirë e një karrierë të suksesshme, që të jepni kontributin tuaj në Gjilan. Si erdhi deri te ky vendim, ku e morët shtysën dhe motivimin?
– Është fakt se kemi ardhur nga Finlanda, nga Helsinki, ku jetojmë tash e 30 vite. Qëllimi im parimor pse jam kthyer në Gjilan, në Kosovë, ka qenë aktivizimi I fondacionit “Vjosa” që e kam themeluar tash 6-7 muaj.
2. Kontributin tuaj për Gjilanin, keni vendosur ta ndërlidhni me politikën. Jeni kandidat i vetëshpallur në këtë komunë, por zyrtarisht i pa përfshirë me ndonjë parti politike. A keni pasur oferta që t’i bashkoheni ndonjë partie politike në garën për të parin e komunës?
– Sigurisht, kam shpallur një lloj iniciative të bëj disa ndryshime në Gjilan dhe mënyra më e mirë e kam parë se është të kandidoj për të parin e komunës, jo për aspiratat e mia personale por kryekëput për t’I ndihmuar Gjilanit, ta sjellim Gjilanin në një sipërfaqe tjetër, t’I sjelli praktikat e mia nga Finlanda këtu.
Oferta prej partive politike sigurisht ka pasur dhe sigurisht se ka edhe në vazhdimësi, ende nuk dua të bisedoj për këto gjëra. Sepse kam mësuar një gjë, këtu në Kosovë, sa më shumë që njeriu është në njëfarë mënyre enigmatik, në kuptimin pozitiv, rriten apetite për të paraqitur diçka më ekskluzive. Do të thotë, arsyeja pse nuk dua të bisedoj në këtë moment për parti politike, është se nuk dua t’i ngatërroj ndjenjat e njerëzve se a do të përfshihem me një parti apo tjetrën. Për mua parimore dhe qëllimi kryesor është prosperiteti i Gjilanit, pavarësisht se cila parti është. Le të shikohet individi, le të shikohet suksesi i atij individi, le të shikohet planprogrami”
3. Në rast se nuk mendoni që kontributin tuaj ta ndërlidhni me ndonjë parti politike, a e mendoni opsionin që të kandidoni si i pavarur në këto zgjedhje lokale?
– Po, sigurisht, kjo është iniciativa ime, të bëj një paraqitje më dinjitoze për Gjilanin, se Gjilani e meriton. Iniciativa ime për të kandiduar për Gjilan ndërlidhet me shumë gjëra, njëra prej tyre është edhe ana nostalgjike, meqë babai im ka qenë 40 vjet më herët, kryetar i Gjilanit. Ka qenë njëfarë motivi, njëfarë shtyse që besoj që kontributi ynë që po na thonë “gërrnaqave” është i mirëseardhur këtu dhe kemi çka të kontribuojmë për Gjilanin.
4. Çfarë pune mendoni se ka bërë qeverisja e deritanishme e Komunës? Në rast se fitoni besimin e qytetarëve, çfarë do të bënit ndryshe?
– Qytetari i thjeshtë përherë ka mendime të llojllojshme. Unë i kam mendimet e mia, mendoj se në Gjilan është punuar mjaft, besoj njëkohësisht se në Gjilan ka ende mundësi që të punohet më mirë. Janë disa mangësi, por pa marrë parasysh, jemi në një shtet në tranzicion e sipër por ky tranzicion po zgjat tash e 20 vjet, mirëpo pikërisht në qeverisjen lokale, tash e 8 vjet, unë mendoj se përpos punëve të mira që janë bërë, ka pasur edhe anashkalime, ato anashkalime mund të jenë nga ana profesionale, unë po flas për profesionin tim, po I shoh deformimet më të mëdha që janë bërë në urbanizëm, po shoh anomali në këtë aspekt, se a ka pasur mundësi që të bëhet më mirë, sigurisht se po. Se a do të bëhet më mirë , edhe më sigurisht se po.
5. A keni një planprogram të hartuar për ato që planifikoni t’i përmbushni në se rast se dilni fitues i këtyre zgjedhjeve lokale? A mund të na flisni më shumë rreth prioriteteve?
– Po, planprogramin e kam të hartuar. Jam bazuar në atë se rrjetet sociale në ditë të sodit janë ato ku gjithpërfshihet masa. Në kohët e sodit, edhe presidentët e shtetit, prononcimet I bëjnë nëpër rrjete sociale, këtë e kam shfrytëzuar edhe unë dhe jam duke e paraqitur programin tim në disa pika, kam filluar tash e disa kohë. Ka hasur në një mirëkuptim, kam dëgjuar fjalë miradie, mirëpo unë jam vetëkritik dhe ato që kam mundur t’i përfshij aty janë veçse një fillim I punës së mbarë.
Gjithsesi, kam prioritetet e mia, prapë po kthehem në profesionin tim.
Arkitektura e një vendi çmohet. Ne i mbajmë mend arkitekturat e vjetra. Egjiptin, ta marrim si shembull, e para që na e përkujton janë piramidat dhe çdo kulturë e lashtë niset nga një arkitekturë. Unë besoj fort se në Gjilan kanë mundur të bëhen gjëra të mëdha dhe më mirë. Njëra prej vërejtjeve të mia kryesore, duke marrë parasysh konfiguracionin e Gjilanit, është teren moçalik, është një teren sizmik. Kam përshtypjen dhe jam i bindur se këto gjëra nuk janë marrë përsipër kur janë bërë ndërtimet. Një anomali ekstreme është për mua që në qytet me rrethinë janë uzurpuar pronat bujqësore. Në çdo kulturë, në çdo qytetërim, ndërtimet bëhen në pjesë kodrinore, ajo është për banim, ndërsa pjesa e “tokës së bukës” siç themi nga ana e Gjilanit, ato duhet të ruhen me xhelozi të madhe. Për këtë kam bërë disa pika në çka unë mendoj se duhet të qasemi. E para do të ishte, revidimi. Në rast se arrij të kandidohem dhe të fitoj zgjedhjet, gjëja e parë që do ta bëj është pezullimi i të gjitha lejeve ndërtimore në 2 vitet e fundit që kanë ndodhur. Aty do të bëhet një revidim i saktë, i përpiktë, do të shikohen të gjitha ndërtimet që janë bërë, a janë a janë bërë me standarde evropiane. Unë besoj së nuk janë bërë ndërtimet ashtu siç përkojnë me një qytetërim modern. Ka dështime të mëdha, dhe duhet të përmirësohen, dikush duhet të paguajë faturën. Qytetari i thjeshtë nuk ka nevojë të paguajë faturë, faturën e paguan normalisht, kryesi i punëve.
Dua të sjell një risi shumë të thjeshtë me kërkimin e lejes së ndërtimit, në aprovimin e lejes së ndërtimit, duhet marrë parasysh ana financiare.
Ai punëkryes, investitor duhet t’i ketë financat e siguruara që të mund të kryejë objektin. Të mos vihet deri ku jemi sot, që shohim shtëpi 3-4 katëshe, banorët e së cilës banojnë në bodrum e shtëpia është e paparfunduar. Kjo i jep një pasqyrë shumë të keqe qytetit. Sigurisht se njerëzit duhet të mendojnë në bazë të buxhetit, mirëpo buxheti duhet të planifikohet, kjo është kryesorja. Edhe komuna duhet të veprojë në të njejtën mënyrë, pa planifikim të buxhetit, nuk mund të ketë asgjë.
6. Si e vlerësoni rolin e opozitës në qeverisjen lokale? Në rast se ju zgjidheni kryetar, a do të kishte përfshirje të opozitës në arritjen e objektivave të përbashkëta? E në rast se mbeteni opozitë, a do të bashkëpunonit me pozitën?
– Unë kam dëgjuar shumë fjalë se qeverisja momentale e ka pasur vendimmarrjen dhe vendimbërjen, ndërsa opozita ka luajtur një rol, kushtimisht negociues, me një qeveri e cila nuk ka prodhuar një rezultat të kënaqashëm për qytetin. Unë mendoj se zëri i opozitës duhet të jetë shumë më i madh. Opozita duhet të sjellë programe të njejta, duhet të balansohen programet. Jemi duke jetuar me një modernizëm global. Nuk është më çështja se kush ka të drejtë, por është çështja se a është kjo e drejtë për qytetarin e Gjilanit. Njëlloj siç qeveria e ka programin e vet, duhet ta ketë edhe opozita, të bashkohen këto të dyja dhe të shihet cili është më i miri për Gjilanin. Nëse unë jam opozitë sigurisht se roli im do të jetë i madh në lëminë time dhe jo vetëm. Mund të bëjmë gjëra të mëdha./arbresh.info/
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...