Në qytetin Almaty të Kazakistanit ka disa ditë që kanë shpërthyer protesta të dhunshme si rezultat i pakënaqësive me ngritjen e çmimit të karburanteve. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, si rezultat i përplasjeve mes ushtrisë dhe protestuesve kanë mbetur dhjetëra të vdekur nga radhët e dy palëve.
Por cila është gjendja e sigurisë së kosovarëve që punojnë atje?
Në një përgjigje për Gazetën Express, kreu i AKR-së dhe pronari i “Mabetex Group”, Behgjet Pacolli thotë se gjendja e punëtorëve të tij është e mirë. Ai ka treguar se nuk ka trazira nëpër qytetet ku punojnë punëtorët kosovarë.
“Punëtorët janë mirë, ka filluar puna pas festave të fund vitit. Në qytetet ku ne punojmë nuk ka trazira”, ka thënë Pacolli për Express.
Në ndërkohë një punëtorë kosovar rreth të 20-ve ka thënë për Radio Evropën e Lirë se janë të shqetësuar me gjendjen që është krijuar në Kazakistan.
Ai tha se janë të mbyllur dhe se kompania ua ka sjellë pasaportat dhe se u kanë thënë se nesër e kanë pushim.
Pacolli i cili njihet për miqësinë dhe afërsinë e tij me ish-presidentin kazak Nursultan Nazarbayev aludon që trazirat në shtetin aziatik janë duke u organizuar nga një faktor i jashtëm dhe sipas tij, një gjë e tillë është tejet e dukshme.
“Trazirat janë të organizuara nga faktori i jashtëm, kjo është ma se evidente”, ka potencuar Pacolli.
“Mabetex Project Engineering” në pronësi të Behgjet Pacollit ka kryer një seri punësh në Kzakistan përfshirë ndërtimin e Rezidencës së Presidentit në Nur Sulltan, ndërtesa të ministrive si dhe salla të koncerteve atje, përfshirë Teatrin Nacional të Dramës Neo-Klasike, Teatrin e Operës dhe Baletit, Aeroportin në Nur Sulltan, ndërtesën e Ministrisë së Sportit dhe Turizmit në Kazakistan, e të tjera.
Kazakistani është duke përjetuar protestat më të mëdha qysh nga shpallja e pavarësisë para 30 vitesh.
Një rritje e papritur e çmimit të karburantit të makinave në fillim të vitit shkaktoi protestat e para në një qytet të largët nafte në perëndim. Por, dhjetëra mijëra protestues që kanë dalë që atëherë në rrugë në shumë qytete, tani kanë në sy të gjithë qeverinë autoritare.
Një destabilizim i tillë i situatës ka shkaktuar shqetësim edhe për fqinjët e afërt të Kazaksitanit: Rusinë dhe Kinën, me të cilët zhvillon tregtinë më të madhe.
Ndërkohë, presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka shkarkuar të gjithë qeverinë herët të mërkurën. Kjo me qëllim të qetësimit të protestuesve.
Por, në fund të ditës ai kishte ndryshuar qëndrim. Së pari, ai i përshkroi demonstruesit si terroristë. Pastaj ai i bëri thirrje një aleance ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, për ndihmë në shtypjen e protestës. Pas kësaj, trupat ruse kanë zbarkuar në Kazakistan.
Ndërkohë, Policia e Kazakistanit ka thënë se disa protestues janë “eliminuar” gjatë natës në qytetin më të madh të shtetit, Almati, kur ata kanë tentuar të hyjnë nëpër ndërtesa administrative, ndërkohë janë përshkallëzuar trazirat kombëtare.
Nga pesë republikat e Azisë Qendrore që fituan pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kazakistani është deri tani më i madhi dhe më i pasuri. Ai shtrihet në një territor me madhësinë e Evropës Perëndimore dhe ndodhet në majë të rezervave kolosale të naftës, gazit natyror, uraniumit dhe metaleve të çmuara.
Kosova me 5 grupmosha në arenën ndërkombëtare në basketboll
Anulohet aktiviteti për përurimin e Parkut të Ulpianës
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...