Google ADS

Osmani përfundon takimet për datën e zgjedhjeve, këto ishin propozimet e partive shqiptare

18:43 | 2 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfunduar takimet me paritë parlamentare shqiptare ku është diskutuar për datën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen gjatë këtij viti.
Ajo të mërkurën ka takuar kreun e VV-së, Albin Kurti, atë të PDK-së, Enver Hoxhaj, Lumir Abdixhikun kryetar i LDK-së, ndërsa nga AAK-ja ka në takim ka qenë shefi i grupit parlamentar Besnik Tahiri.

Në këto takime të zhvilluara ndaras, përfaqësuesit e partive kanë dhënë propozimet e tyre për këto zgjedhje.

Kreu i VV-së, Albin Kurti njëherit edhe kryeministër i vendit, s’ka përmendur ndonjë datë, por ai ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen në tetor dhe sa më herët.
“Muaji tetor do të duhej të ishte muaji kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet. Por, sa për neve sa më herët zgjedhjet aq me mirë është. Presidentja pas konsultimit me partitë tjera në fund do ta përcaktojë një datë shumë të rëndësishme edhe për demokracinë dhe qeverisjen e mirë komunale. Sa më herët aq më mirë. Por, gjithçka tregon që tetori do të jetë muaj i zgjedhjeve”, është shprehur Kurti pas takimit”, raporton arbresh.info.

Ndërsa nga PDK-ja kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen më 31 tetor.

Kryetari i kësaj partie tha duhet t’i jepet kohë KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga presidentja që të caktoj një datë për zgjedhjet lokale e cila i jep kohë të mjaftueshme KQZ-së dhe mekanizmave tjerë të përgatisin një proces zgjedhor sa më të mirë.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.

31 tetorin si datë për zgjedhjet lokale e ka përmendur edhe LDK-ja.

Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku ka thënë se duhet të kemi zgjedhje mirë të organizuara.

“Ishte një takim siç e do tradita. Tetori është muaji i zgjedhjeve ne jemi gati për to kur do që mbahen. Por rekomandimi jonë është që 31 tetori të jetë data e zgjedhjeve. Por për ne është e pranueshme ç’do datë tjetër”, tha Abdixhiku, raporton arbresh.info.

Ndërsa nga AAK-ja nuk ka përmendur ndonjë datë, por Besnik Tahiri nga kjo parti ka thënë se është më rëndësi që mandati i kryetarëve i cili përfundon më 22 tetor mos të shkurtohet.

“Është me rëndësi që të këtë zgjedhje të mbahen ne afate kohore u diskutua data 31 tetor. Për ne si AAK është më rendësi që te mbahen brenda afateve kohore”, tha Tahiri./arbresh.info.

Të ngjashme