Haxhiu i kërkon ambasadorit të BE-së dënimin e aktit të djegies së lokaleve të nënkryetares së Zveçanit nga partnerët ndërkombëtar

17:15 | 12 Mars 2024
E.G

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim ambasadorin e BE-së, Tomas Szunyog.

Në këtë takim u diskutuan tema si reforma në Drejtësi, Vetingu, Reforma në Këshillin Prokurorial, Programi Legjislativ 2024, parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, Kodi Civil dhe ai i Procedurës Civile, shkruan Arbresh.info.

“Fillimisht Ministrja e Drejtësisë theksoi rezultatet e deritanishme në çështjet e lartëcekura dhe gjithashtu shprehu përkushtimin në realizmin e objektivave dhe agjendës legjislative në përputhje me afatet, të cilat kontribuojnë tutje në reformim dhe fuqizim të sundiit të ligjit.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Po ashtu, ajo dënoi aktin e djegies së lokaleve të nënkryetares së Komunës së Zveçanit ditë me parë dhe njëkohësisht, kërkoi dënimin akteve të tilla edhe nga partnerët ndërkombëtar.

Ndërkaq, ambasadori Szunyog shprehu gatishmëri për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, duke ritheksuar edhe njëherë, rëndësinë e sundimit të ligjit.

“Të dy palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim të vazhdueshëm në realizimin e objektivave të Ministrisë së Drejtësisë.”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme