Dyshohet se ua mundësoi disa turqve marrjen e shtetësisë së Kosovës pa përfillur procedurat, ndalohet një zyrtar i gjendjes civile në Mamushës

12:20 | 5 Mars 2024
E.G

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, me urdhër të prokurorit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, të dyshuarin M.S., në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Mamushës.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përcjell Arbresh.info.

Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare u ka mundësuar disa personave – shtetas të huaj turq, fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pa përfillur procedurat ligjore për fitimin e shtetësisë.

“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor, për të njëjtin do të vazhdoj me procedura të tjera hetimore.  “, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Arbresh.info/

Të ngjashme