Google ADS

Bislimi raportoi në komision pa praninë e mediave, Kryeziu-Hyseni: Janë ndarë dokumente konfidenciale

10:50 | 15 Shkurt 2024
E.G

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Besnik Bislimi, sot ka raportuar për dialogun Kosovë-Serbi para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Para gazetarëve, kryetarja e këtij komisioni, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se kanë kërkuar qe mediat të lirojnë sallën pasi Bislimi i ka paralajmëruar se do të ndajë disa dokumente që janë konfidenciale, shkruan Arbresh.info.

“Fakti që kemi vendosur të mbajmë takim të mbyllur është për shkak se zëvendëskryeministri na ka paralajmëruar se do të ndajë me ne disa dokumente që janë konfidenciale dhe të cilat nuk preferohen të ndahen me opinionin publik për shkak të procesit që është shumë fragjil në këtë fazë”, ka thënë ajo.

“Për këtë arsye kemi kërkuar që mediat të lirojnë sallën e jo për shkak se ne nuk jemi transparent në këtë proces, siç u mundua të jepet si arsye nga ana e opozitës”, u shpreh ajo.

Më tej ajo shtoi se në këtë mbledhje fokusi ka qenë te zhvillimet në dialog dhe sulmin në Banjskë.

“Kemi folur për dialogun, fokusi ka qenë te procesi i muajve të fundit dhe zhvillimet që kanë ndodhur. Fokusi ynë ka qenë te çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodh në dialog tani e tutje”, tha deputetja e VV-së.

Sipas saj, në këtë komision janë ndarë informacione të cilat kanë qenë të nevojshme në veçanit për deputetët e opozitës, të cilët, siç tha ajo, nxjerrin në opinionin publik informacione të pavrëteta.

Kryeziu-Hysnei deklaroi se për të pasur lëvizje në procesin e dialogut duhet të ketë lëvizje nga pala tjetër që është e përfshirë në dialog, në këtë rast Serbia.

“Duhet të ketë lëvizje edhe prej anës së Bashkimit Evropian, në kuptimin e trajtimit të palëve në mënyrë të barabartë”.

Deputetja e VV-së gjithashtu akuzoi opozitën për keqinformim sa i përket dialogut, i cili është në dëm të Kosovës.

“Opozita dhe disa deputetë që janë pjesë e komisionit nuk duan ta shfrytëzojnë asnjë mundësi që iu jepet për të marrë informacione të dorës së parë dhe për t’u informuar saktë për atë se në çfarë situate është vendi ynë. Kam krijuar bindjen se i vetmi mision i tyre është keqinformimi në dëm të Republikës së Kosovës”, deklaroi mes të tjerash ajo./Arbresh.info/

Të ngjashme