Google ADS

Arrestohet dhe suspendohet polici i cili dyshohet se ka goditur këmbësoren në Obiliq

12:31 | 23 Janar 2024
E.G

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se është arrestuar e më pas është suspenduar zyrtari policor i cili dyshohet se ka goditur një këmbësore në Obiliq.

Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur dje në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq dhe dyshohet se drejtuesi i automjetit ka goditur këmbësoren e cila në ato momente kishte qenë duke e kaluar rrugën, shkruan Arbresh.info.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës dje në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me një aksident trafiku më lëndime trupore në mes një automjeti dhe një këmbësori ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private).Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar.”, thuhet mes të tjerash në njoftim.

Ndër të tjera, në njoftim thuhet se pasi që ka ndodhur aksidenti, vozitësi ka dërguar për tretman mjekësor të lënduarën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas nga stafi mjekësor e njëjta është dërguar për trajtim në QKUK Prishtinë.

“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme