Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje sot. Në këtë mbledhje janë miratuar 28 vendime, prej të cilave katër kanë qenë projektligje, dy udhëzime administrative, tetë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dy raporte.
Më poshtë gjeni komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me këto vendime:
Qeveria ka mbajtur mbledhjen e rregullt të saj në të cilën janë miratuar në total 28 vendime prej të cilave katër projektligje, dy udhëzime administrative, shtatë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe dy raporte.
Në pajtim me Përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në këtë mbledhje Qeveria ka dhënë mendimin e saj për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publik. Në mendimin e Qeverisë thuhet se nisma është në pajtim me kushtetutën, nuk ka kosto shtesë dhe është në pajtim me legjislacionin e BE-së.
Katër projektligjet e miratuara në mbledhjen e sotme janë:
1. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë. Marrëveshja do të sigurojë kredinë në vlerë prej 13,500,000 (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë) euro.
2. Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredinë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë. Marrëveshja siguron një kredi prej 19,800,000 (nëntëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) euro.
3. Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë. Marrëveshja siguron kredi dhe financim në vlerë prej 47,000,000 (dyzet e shtatë milionë) euro.
4. Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Ndryshimet do të sigurojnë zhvillimin dhe fuqizimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore si institucion i pavarur për ofrimin e garancive kreditore dhe do të ngritin përqindjen e nivelit të garancive nga 50% në 80%.
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme për vitet 2023-2025 si pjesë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2023-2025. Deklarata ndërlidhet edhe me objektivat e Strategjisë Operacionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me shtyllat e Strategjisë Kombëtare Zhvillimore. Kjo Deklaratë do t’ju përcillet të gjitha organizatave buxhetore që t’ju shërbejë në planifikimin e financimit dhe të shpenzimeve buxhetore.
Dy Udhëzimet Administrative që kanë marrë miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme janë:
1. Udhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.
2. Udhëzimi Administrativ për kartelat identifikuese për zyrtarët e inspektimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme është miratuar vendimi për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të personave të rrezikuar nga lufta në Ukrainë. Personat për të cilët do të aplikohet kjo mbrojtje janë njëzet gazetarët ukrainas dhe pjesëtarët e familjeve të tyre të ngushta, për të cilët tashmë është marrë vendimi i Qeverisë për strehimin e tyre në Kosovës. Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Mbrojtja do të ofrohet në pajtim me Ligjin për Azil dhe do të ketë efekt që nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Me një vendim të veçantë është miratuar kërkesa e Departamentit për kontrollin e Tregut të Mallrave Strategjike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për formimin e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë më Mallra Strategjike. Sipas këtij vendimi zëvendësohen Brahim Kokollari dhe Nazmi Zogaj me Muhamet Thaqin dhe Agim Çitakun nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Adnan Dragaj dhe Flurim Gashi do të zëvendësohen nga Shkelzen Morina dhe Blerim Bajramaj.
Ndërkaq me një vendim të veçantë është emëruar këshilli për Mbrojtje të Konsumatorit me këtë përbërje:
1. Safete Rexhepi – kryesuese (MINT);
2. Berat Ahmenti – Inspektorati i Tregut (MINT);
3. Jehon Kadrija – Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit (MINT);
4. Ibrahim Tershnjaku – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës;
5. Venera Agani – Banka Qendrore e Kosovës;
6. Behxhet Bala – Zyra e Rregullatorit të Ujësjellësit;
7. Rrezarta Ajeti – Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare;
8. Petrit Haziri – Zyra e Rregullatorit për Energji;
9. Naser Ramadani – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës;
10. Selatin Kaçaniku – OJQ ‘Konsumatori’
11. Fatbardha Restelica – OJQ ‘Indep’
12. Milosh Goluboviq – OJQ – Community Building Mitrovica; dhe
13. Hivzi Dragidella – Oda Ekonomike e Kosovës.
Miratimin e ka marrë edhe plotësimi dhe ndryshimi i vendimit për zbatimin e vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Republika e Kosovës për sanksione ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën e krijuar në Ukrainë. Sanksionet plotësojnë masat e fundit të ndërmarra nga BE dhe ShBA dhe konsistojnë në:
1. Ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara;
2. Ndalim të qasjes dhe operimit në tregun financiar të Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara;
3. Ndalim i transmetimit të mediave propaganduese të Rusisë në Republikën e Kosovës;
4. Ndalim i udhëtimit të Republikën e Kosovës për individët e sanksionuar;
5. Ndalim për individ dhe entitete në Republikën e Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, në mënyrë direkte ose indirekte për individët apo entitete e sanksionuara.
100,000 (njëqind mijë) euro janë ndarë me vendim të Qeverisë për dërgimin e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare nga Republika e Kosovës për popullin e Ukrainës. Pakot humanitare me prodhime vendore do të përgatiten në marrëveshje mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Tereza”.
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrim të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Korniza e Qyteteve të Gjelbërta Dritarja 2 – Efiqenca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë”.
Tetë nismat për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që janë miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë:
1. Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë;
2. Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Protokoll bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë;
3. Nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare për “Statusin e Forcave (SOFA)” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.
4. Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për “Statusin e Forcave (SOFA)” në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë Hashemite të Jordanisë.
5. Nisma për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, e përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim si dhe Qeverisë së Suedisë, e përfaqësuar nga Ambasada Suedeze, për Grantin e Performancës Komunale;
6. Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, për projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”. Marrëveshja parasheh shfrytëzimin e fondeve, në shumën mbi 200 milionë dollarë, për sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës.
7. Nisma për Marrëveshjen ndërkombëtare të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për negocimin e Marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Korniza e Qyteteve të Gjelbërta 2, Dritarja 2 – Efiçenca e energjisë në ndërtesa publike në Prizren”.
8. Nisma për negocimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Punësimit dhe Inovacionit Social (EaSI) të Fondit Social Evropian Plus (ESF+)
Janë miratuar buxhetet për vitin 2022 të komunave: Gjakovë, Prizren, Suharekë, Malishevë, Vushtrri, Mitrovicë dhe Podujevë, pas miratimit me vonesë nga ana e kuvendeve të komunave përkatëse.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka prezantuar në mbledhjen e sotme Raportin vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. Raporti evidenton se të hyrat e përgjithshme në buxhet gjatë vitit 2021 ishin 2,490,973,000 Euro ndërsa pagesat gjatë këtij viti kapin shumën prej 2,378,7401,000 Euro. Bilanci pozitiv i fund vitit ishte 442,189,000 Euro.
Edhe Raporti i vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit të financimit të komunave për vitin 2021 është miratuar në mbledhjen e sotme. Ky raport prezanton vlerësimin e Komisionit të Granteve mbi përshtatshmërinë e sistemit të financimit në nivelin komunal dhe paraqet vlerësimet dhe sfidat e identifikuara.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është informuar për:
1. Zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2021-2025. Programi në vitin 2021 është zbatuar në nivel prej 51.43 për qind; 126 nga 245 masat e planifikuara janë zbatuar, ndërsa 48.57 për qind të tyre nuk janë zbatuar ose 119 masa nuk janë zbatuar.
2. Zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane i cili evidenton se deri në fund të vitit 2021, të gjitha prioritetet kanë qenë në zbatim e sipër. Ndërsa sipas treguesve niveli i zbatimit të treguesve të planifikuar në tremujorin e fundi të viti 2021 është 52.94 për qind, 45 nga 85 tregues të planifikuar janë zbatuar ndërsa 40 prej tyre ose 47.06 për qind kanë qenë në zbatim e sipër.
3. Raportin për funksionimin e komunave të Republikës së Kosovës për vitin 2021 i cili evidenton funksionimin e kuvendeve komunale dhe ekzekutivit të komunave; rezultatet e punës; transparencën e komunave; zbatimin e obligimeve nga Programi Kombëtar për MSA; planifikimin e buxhetit dhe realizimin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore; dhe jep një pasqyrë të opinioneve të auditorit për komunat gjatë viti paraprak.
Në fund të mbledhjes, tek të ndryshme, me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë miratuar dy vendime. Vendimi i parë për ndarjen e lokacionit në Shkabaj të Komunës së Obiliqit për investimet në sektorin e energjisë solare, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me Republikën Federale të Gjermanisë. Ndërsa me vendimin e dytë për dhënien në shfrytëzim të katër pronave të paluajtshme për Ndërmarrjen Publike “Termokos” nga Prishtina për realizimin e projektit për ngrohjen diellore “Solar Kosova”.
Kabineti ka miratuar vendimin për zbatim nga Qeveria dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës të sanksioneve financiare ndaj personave dhe subjekteve të sanksionuara për krim të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të datës 8 dhjetor 2021 të shpallura nga Departamenti i Thesarit, Zyra për Kontrollin e Pasurisë, për individët dhe bizneset të cilat operojnë në Republikën e Kosovës./arbresh.info/
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...