Google ADS

250 mijë armë ilegale, trafikimi i pakontrolluar dhe amnistia e të jashtëligjshmëve

12:00 | 10 Prill 2021
Arditë Shkodra

Afro 250 mijë armë ilegale janë në posedim të qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme.

E kjo dukuri po paraqet një kërcënim serioz dhe është mjaftë shqetësuese për sigurinë publike.

Në vendin tonë vetëm gjatë vitit të kaluar si pasojë e armëve pa leje kanë ndodhur 20 vrasje, prej tyre 7 gra.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku për arbresh.info ka thënë se armët ilegale paraqesin kërcënim serioz në Kosovë dhe janë arsyeja kryesore që po ballafaqohemi më vrasje të shumta.

“Armët ilegale paraqesin një kërcënim serioz në Kosovë dhe një nga to janë edhe vrasjet e shumta.’

Maloku konsideron se duhet të vazhdohen fushatat dhe të jetësohen procedurat për legalizimin e  mëtutjeshëm të armëve ilegale.

Sipas Malokut duhet të ulen kostot financiare, në mënyrë që qytetarët t’i paraqesin armët ilegale tek institucionet përkatëse.

“Mendoj që duhet të ulen kostot financiare për legalizim të armeve, pasi që kjo i dekurajon njerëzit që të aplikojnë për legalizim, kosto kjo që shkon deri në 300 euro. Moszbatimi i Kodit Penal është një ndër arsyet pse qytetarët vazhdojnë të bartin armë pa leje dhe t’i keqpërdorin ato”, konsideron kështu Maloku

Kodi Penal parasheh një dënim në vlerë prej 7 mijë e 500 euro apo deri ne 5 vjet burg, varësisht sa armë posedon personi në fjalë aq edhe i shqiptohet dënimi.

Dhe si pasojë se ky ligj nuk zbatohet në përpikëri është arsyeja pse edhe njerëzit janë më të lirshëm në këtë aspekt  dhe vazhdojnë të bartin armë ilegale apo të keqpërdorin duke gjuajtur në ajër, apo duke kryer edhe akte të kërcënimeve apo edhe vrasje.

Ndërsa i pyetur se pse mendon që vazhdon kjo dukuri të jetë e theksuar në vendin tonë, Maloku mendon se ka të bëjë edhe me okupimin e mëparshëm në Kosovë, dhe mentaliteti i asaj kohe përcjell ende gjeneratat e reja.

“Logjika për armëmbajtje pa leje mendoj që nuk duhet të ekzistojë, fillimisht mendoj që ky mentalitet të hiqet nga botëkuptimi jonë që kemi bartë nga ato gjysmë-pushtete që kemi pasë nga okupuesi në Kosovë dhe arma ka qenë një vetëmbrojtje më tepër, e tani nuk kemi më nevojë për atë.”

Nga po vijnë armët ilegale dhe si mund të parandalohen?

“Armët janë nga burimet e brendshme një masë e tyre, mirëpo edhe një pjesë e madhe vjen edhe nga vendet fqinje, që janë edhe prodhues të armëve dhe natyrisht si çdo mall tjetër ilegal edhe armët trafikohen”, thotë tutje eksperti i çështjeve të sigurisë.

Kurse sa i përket parandalimit të futjes së armëve pa leje në Kosovë, Maloku konsideron se duhet të rriten kontrollet në kufi dhe prezenca e policisë kufitare të jetë më e madhe.

“E për këtë mendoj që duhet të rritet kontrollohet në kufi nga policia kufitare. Si dhe me ligjin e ri për legalizimin armëve që do të riprocesohet besoj se duhet të ulen kostot e shpenzimit për të gjithë ata që aplikojnë, në mënyrë që ky arsenal që konsiderohet që është në numër të madh, të zvgëlohet”.

300 euro, kostoja për legalizim

Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, sipas MPB-së, varion nga 150 deri 250 euro për pistoletë, ndërsa 80 deri 150 euro varion çmimi i trajnimit për armët e gjata për gjueti.

Shpenzimet tjera për t’u pajisur me armë janë certifikata mjekësore, e cila sipas MPB-së, ka koston 50 euro sipas një udhëzimi administrative nga Ministria e Shëndetësisë dhe certifikatat tjera kanë kosto nga 5 euro.

Çdo vit konfiskohen 1500 armë ilegale

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për portalin arbresh.info ka bërë të ditur se çdo vit konfiskohen rreth 1500 armë ilegale.

Një tjetër kontribut në zvogëlimin e armeve pa leje e jep edhe shkatërrimi apo asgjësimi i armëve i cili bëhet po-ashtu  çdo vit.

“Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 arme ilegale. Një kontribut te rëndësishëm ne zvogëlimi e armeve ilegale jep edhe shkatërrimi i armeve i cili behet çdo vit.”

Nga MPB e shohin si dukuri shqetësuese mbajtjen dhe përdorimin e armëve pa leje si dhe numrin e madh të këtyre armëve që janë në posedim të qytetarëve.

“Normalisht se është dukuri shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale. Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është me i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale.”

Si faktorë tjetër që ka ndikuar në zvogëlimin e këtij numri për armët ilegale MPB konsideron se është edhe miratimi i ligjit për armët, si dhe periudha kur është shpallur fushata e legalizimit dhe dorëzimit të armeve.

“MPB ka realizuar një periudhë të legalizimit të armëve (ku janë dorëzuar 2000 kërkesa) dhe ka në plan sa më shpejt që është e mundur të shpall fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve varësisht nga sipas ecurisë të hartimit të politikave.”

Kujtojmë që ligji për legalizimin e armëve është miratuar me 23 nëntor 2018./ArditëShkodra/arbresh.info/

 

Të ngjashme