25 vjet pas, sfidat e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në grumbullimin e fakteve për krimet e bëra

13:00 | 28 Dhjetor 2024
K.B

25 vite që nga lufta, Hetemi na tregon për vështirësitë që i hasin në grumbullimin e fakteve të krimeve të bëra.

Në vitin 2021, kryeministri Albin Kurti, ri-solli idenë për ngritjen e një padie për gjenocid kundër Serbisë.

Themelimi i Institutit është përmendur shpesh si një faktor që do të ndihmonte nismën për ta sjellë Beogradin përpara një gjykate ndërkombëtare.

Atdhe Hetemi, kreu i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, tha se kalimi i viteve është një vështirësi për mbledhjen e të dhënave por kjo nuk e ndalon institucionin që ai drejton të hedhë dritë mbi të vërtetën.

Tutje, ai tha se si një institucion i ri kemi arritur që të finalizojmë kornizën legjislative, duke bërë që ky institut të ketë dy departamente kryesore: Hulumtimin dhe Dokumentimin.

“Kemi finalizuar rregulloren për funksionalizimin e institut dhe sistematizimin e vendeve të punës, gjithashtu kemi bërë një metodologji shkencore mbi bazën e të cilës ne e bëjmë mbledhjen, verifikimin, përpunimin, arkivimin dhe hulumtimin e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës”

Ky institut përgjatë këtij viti ka arritur që në Prishtinë të ketë 10 zyre dhe një depo arkivore ku sistemohen materialet, po ashtu ka zyre edhe në disa qytete tjera në: Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, dhe Gjilan.

“Përgjatë këtyre muajve kemi arritur që të nënshkruajmë bashkëpunime me institucione të ndryshme, deri më tani kemi marrëveshje me 38 komuna të Kosovës, me organizata të ndryshme joqeveritare, dhe me disa institucione jashtë Kosovës”.

Duke marrë parasysh që kanë kaluar 25 vite që nga lufta, Hetemi na tregon për vështirësitë që i hasin në grumbullimin e fakteve të krimeve të bëra.

“Është vështirësi në vetvete, por ka qenë fat në fatkeqësi përderisa institucionet shtetërorë nuk kanë arritur që deri më tani të krijojnë një institut si ky, por ka pasur organizata të ndryshme, individë të caktuar dhe media që kanë bërë një punë veçmas kësaj, dhe tani më ekziston një sasi e caktuar e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës “.

Po ashtu, ai na tregon edhe për vështirësitë e tjera që kanë hasur përgjatë këtij viti.“Vështirësia tjetër ka qenë mungesa e besimit të qytetarëve dhe disa partnerëve për disa arsye të ndryshme, për shkak të asaj që shteti më herët nuk ka arritur për të konsoliduar një institut të tillë, që ka ligjin e vetë, buxhetin e vet, qëndrueshmërinë e vet, por tani sigurisht besimi është kthyer te partnerët, por fakti që shumë institucione dhe mediume kanë mbledhur dëshmi e ka lehtësuar pak a shumë edhe procesin tonë”

Tutje, Hetemi tregon për partneritetet të cilët janë pjesë e pandashme e këtij instituti.“Deri më tani kem arritur të mbledhim materiale që dokumentojnë krimet e luftës mbi 80 individë, institucione, organizata etj, kemi marrëveshje me Agjensionin e Arkiva Shtetërore të Kosovës, prej të cilëve kemi përfituar dhe jemi të vendosur me të njëjtin objekt me ta, kemi marrëveshje me Universitetin e Prishtinës, Institutin e Trashëgimin Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup, Institutin për Dokumentimin e Krimet për Komunizmin në Tiranë, Agjensionin e Arkiva në Tiranë, Srebenica Memorye Center në Bosnje, e shumë bashkëpunime të tjera, por ne synojmë që të rrisim marrëveshjet dhe jashtë Kosovës.”

Ky institut ka arritur që brenda një viti nga 67 burime të ndryshme, të grumbullojë video, audio e fotografi, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë./ Arbresh.info/ Qëndresa Luma/

Të ngjashme