Dogana e Kosovës mbush plot 25 vjet që nga themelimi i saj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se që nga themelimi ky Institucion ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një nga komponentët e zhvillimit të vendit.
Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Kurti ka shkruar se për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë, apo siç shkruan ai, 113 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin paraprak.
Kurti në urimin e tij për Doganën, shkruan se kjo arritje historike ka qenë e mbushur me sfida, shkruan Arbresh.info
“Sot, sado që kjo arritje historike tingëllon e këndshme e na bën krenarë të gjithëve, rruga që na ka sjellë tek këto rekorde nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sfida”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Çerekshekulli Doganë
Në muajin gusht, Dogana e Kosovës mbushë plot 25 vite që nga themelimi. Institucion ky që ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një nga komponentët e zhvillimit të vendit, mbrojtës i sigurisë së tij e katalizator i krijimit e forcimit tonë si shtet.
Gushti i këtij viti përveç që shënon një periudhë 25 vjeçare të pazëvendësueshme për realitetin që gëzojmë sot, vë në pah një rekord historik të kësaj agjencie. Për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë, apo 113 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin paraprak. E kjo është bërë e mundur falë luftës ndaj korrupsionit, thjeshtëzimit të procedurave doganore, e angazhimit të palodhur të punonjësve të kësaj Agjencie, gjithmonë në bashkëpunim me akterët e shtetit, e me partnerët ndërkombëtarë.
Sot, sado që kjo arritje historike tingëllon e këndshme e na bën krenarë të gjithëve, rruga që na ka sjellë tek këto rekorde nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sfida. Dogana e Kosovës u themelua në vitin 1999. Afër nëntë vjet më vonë, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bërnjak, në veri të Republikës së Kosovës, u dogjën e shkatërruan nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia. Rimarrja e kontrollit të këtyre pikave dhe vendosja e ligjit në veri të Kosovës kanë qenë pikë kthese kritike.
E për këtë, është e drejtë dhe e nevojshme që ta nderojmë e përkujtojmë heroin tonë kombëtar, Enver Zymerin, i cili ra dëshmor gjatë aksionit policor në veri më 26 korrik të vitit 2011. Situata sot në veri është ndryshe nga ajo e një dekade para. Në sajë të përpjekjeve të përbashkëta, veriu i Kosovës tashmë është shembull i mirë i operacioneve dhe përpjekjeve për luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, ku nga viti 2021 janë ndërmarrë rreth 163 operacione me këtë qëllim.
Historia është regjistër i së kaluarës që udhëzon e përcakton të tashmen, ndërsa e tashmja e Doganës është më premtuese për të ardhmen sesa ka qenë ndonjëherë.
Me një rritje të jashtëzakonshme të të hyrave, tejkalim të projeksioneve vjetore, rritje mbi 100% të numrit të konfiskimeve, sekuestrimeve e luftimit të evazionit fiskal në krahasim me vitin 2019, Dogana është shndërruar në një nga shtyllat kryesore që i kontribuon stabilitetit të shtetit dhe punës për të.
Vlen të përmendim këtu edhe dy hapa tjerë të realizuar. Së pari, marrëveshjen me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësirat doganore, e cila vendosi operacionet e zhdoganimit në hapësira të përbashkëta në Portin e Durrësit dhe në Porto Romano duke mundësuar bashkëpunim shumë më efikas mes dy vendeve, ndërsa për tregtarët uli koston e operimit me rreth 10 milionë euro në vit. Dhe, së dyti, vendosjen e shumicës së terminaleve doganore në menaxhim të shtetit, duke evituar pagesat nga terminalet private për afër 70% të trafikut, dhe duke i kursyer kështu komunitetit të tregtisë së jashtme mbi 7 milionë euro në vit.
Këto janë vetëm disa nga sukseset e Doganës e si Qeveri jemi të përkushtuar që të vazhdojmë mbështetjen për Doganën edhe përgjatë viteve në vijim.
WhatsApp po punon për ta bërë më të shpejtë dërgimin e fotov...
Fitorja e Trumpit, Kokalari: Hashim Thaçi dhe të tjerët së s...
Vaji i jargavanit – Ul temperaturën dhe lufton depresionin
Pacolli tregon për festën në Mar a Lago për nder të presiden...
Kosova mposhtet në ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifik...
Amerikanët prezantojnë një bateri për automjetet elektrike m...