Google ADS

25 vjet nga padia e Vuçiqit ndaj vëllezërve Mulliqi, Kurti: Ndalohej fjala e lirë dhe zëri i shqiptarëve për liri

14:27 | 12 Mars 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar 25 vjetorin e padisë së Aleksandar Vuçiqit kundër revistës “Kombi” dhe redaktorit, Haqif Mulliqit dhe botuesit Haki Mulliqit.

Siç theksoi Kurti, ata akuzoheshin për shkelje të Ligjit diskriminues mbi informimin publik, përcjell Arbresh.info.

Kurti me anë të një postimi në Facebook, shtoi se ish-ministri i Informimit, Aleksandar Vuçiq me padinë ndaj Haqif e Haki Mulliqi ishte zyrtarizmi i kërcënimit publik ndaj shqiptarëve.

“Ndalohej fjala e lirë dhe zëri i shqiptarëve për liri, represioni i ushtruar ndër vite e dekada kulmoi me gjenocidin dhe spastrimin etnik gjatë viteve 1998-99”, tha Kurti.

Postimi i plotë:

25 vjetori i padisë së Aleksandar Vuçiqit kundër Haqif e Haki Mulliqit

12 mars 1999, Ministri i Millosheviqit për Informim, Aleksandar Vuçiq, ushtron padi kundër revistës “Kombi” dhe redaktorit përgjegjës, Haqif Mulliqi e botuesit, Haki Mulliqi, për shkelje të Ligjit të tij diskriminues mbi informimin publik. E ky ligj impononte të dëgjuarit e lëndës nga gjykata brenda 24 orësh, përfundim të lëndës brenda 24 orësh, e shpesh mbaronte edhe me konfiskim të pronës.

29 dhjetor 1998, Aleksandar Vuçiq deklaron: “Shqiptarët do ta ndryshojnë politikën e tyre editoriale, por këtë nuk e dinë ende”. Padia e tij gjyqësore ndaj vëllezërve Haqif e Haki Mulliqi ishte zyrtarizim i kërcënimit të tij publik ndaj shqiptarëve. Ndalohej fjala e lirë dhe zëri i shqiptarëve për liri, represioni i ushtruar ndër vite e dekada kulmoi me gjenocidin dhe spastrimin etnik gjatë viteve 1998-99.

Informimi i lirë dhe i drejtë në ato vite përbente krim për ministrin e atëhershëm të informimit, Vuçiq. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë vazhdoi të mohohet edhe për dy dekada e gjysmë në vazhdim. Si president i Serbisë, Vuçiq më 5 dhjetor 2019 mohoi publikisht krimet e masakrat ndaj shqiptarëve, duke e cilësuar masakrën e Reçakut si fabrikim.

Nuk është rastësore që Serbia e udhëhequr nga ai, në raportin vjetor të organizatës për lirinë në botë, “Freedom House”, ka rënien më të madhe në Evropë në kategorinë e të drejtave politike dhe lirive të qytetarëve.

Ministri i Millosheviqit, tani President, vazhdon me kontrollin e ashpër ndaj mediave dhe ndalimin e çdo zëri të lirë në Serbi. Mbase: një herë ministër i informimit, përgjithmonë ministër i informimit.

Sllavko Quruvija u vra më 11 prill 1999, kurse të gjithë të akuzuarit për vrasjen e tij u liruan nga gjykatat serbe më 2 shkurt 2024. “Rast unik në botë është ky”, thoshte atëbotë Brajan Fillips, koordinator i shoqatës së juristëve për Evropën Qendrore dhe Lindore, kur fliste për rastin e nisur nga shteti kundër revistës së Sllavko Quruvija, të quajtur “Evropiani” më 1998.

Një autokraci si kjo e Aleksandar Vuçiq, nuk del dot nga nacional-shovinizmi i Millosheviqit dhe e kaluara e zymtë gjenocidale e Serbisë. Një zymtësi që korrespondon me atë që kishte potretizuar gazetari i pavarur Quruvija në ballinë të revistës së tij më 1998: “Ndjellësit e frikës”./Arbresh.info

Të ngjashme