25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, gjenerali Wesley Clark thotë se është krenar për operacionin që ai udhëhoqi dhe se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës, u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.
“Jam krenar për veprimet që ndërmori NATO-ja në atë kohë për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. NATO veproi duke përdorur minimumin e forcës, duke marrë çdo masë parandaluese për të shmangur lëndimin e civilëve të pafajshëm dhe megjithatë e përmbushi synimin për t’i dhënë fund spastrimit etnik”, ka thënë Clark në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Do të thosha se ishte një ndërhyrje e nevojshme e cila u krye në mënyrë rigoroze (posaçërisht) për qëllime humanitare dhe e përmbushi misionin e saj”, shton ai.
Clark shton se gjendja në rajon vazhdon të jetë e paqëndrueshme sepse Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël thotë ai , është shumë e rëndë dhe e vështirë.
“Ajo që dinim në fillim të fushatës, ishte se do të angazhonim forcat e NATO-s. Në atë kohë nuk e dinim që serbët do të largoheshin plotësisht. Nuk ishte kurrë synimi ynë që të ndanim Kosovën, në asnjë lloj mënyre, apo të ndikonim që ajo të bëhej e pavarur. Por veprimet e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë fushatës, vrasja e pamëshirshme e civilëve, përpjekjet për të shkatërruar pronat e shqiptarëve të Kosovës, sjellja brutale e fqinjit kundër fqinjit në këtë fushatë, e bëri realisht të pamundur që serbët të qëndronin.
Prandaj NATO-ja e bëri si një nga prej objektivave të saj, që forcat serbe duhet të largoheshin. Më pas Kosova u mbikëqyr nga ndërkombëtarët, nën drejtimin e OKB-së dhe pastaj vendosi se duhet të ishte e pavarur. Por të them të vërtetën, gjendja në rajon vazhdon të jetë e papranueshme, sepse Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël, është shumë e rëndë dhe e vështirë”, thotë Clark.
I pyetur për marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë e Kosovës, që duket se janë në pikën më të ulët se që kanë qenë ndonjëherë, Clark shprehet se e ka të vështirë ta komentojë këtë, por thotë se SHBA-ja duhet të ushtrojë trysni më të të madhe te Serbia dhe Vuçiqi.
“Unë i shoh gjërat nga jashtë, nuk jam në brendësi të tyre, ndaj është pak e vështirë të komentoj mbi këtë. Por është e rëndësishme të kuptohet se dy shtete që janë krah më krah, Kosova dhe Serbia, nuk mund t’i çojnë përpara marrëdhëniet nëse vazhdojnë të përfshihen në konflikt mes tyre. Serbia i ka shtrirë krahët e saj të gjatë brenda Kosovës për një kohë të gjatë, në veri të lumit Ibër. Edhe kur isha komandant i NATO-s pati një fushatë spastrimi etnik nga serbët kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër. Ishte e gabuar. Por vazhdoi. Duket qartë që ndërhyrja serbe vazhdon ende.
Por kur Shtetet e Bashkuara u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiç në Serbi. Arsyeja për këtë është se Serbia është vendi më i madh, më i fuqishëm dhe që ka mundësinë më të madhe për fleksibilitet në këtë rast, mundësitë më të mëdha për kompromis. Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur sot. Dhe duhet bërë paqe me këtë ide. Është një pasojë historike e të gjithë tensioneve dhe një armiqësie të gjatë.
Nuk kam për ta harruar kurrë, kur isha me Presidentin Millosheviç në nëntor të vitit 1998 dhe po firmosnim marrëveshjen përfundimtare të nëntorit ’98 e cila parashihte tërheqjen e forcave të tepërta serbe nga Kosova, të cilat Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkonte që të largoheshin nga Kosova. Presidenti Millosheviç tha në mënyrë të prerë: “E di unë se si të merrem me këta shqiptarë. E kemi bërë dhe më parë”, tha ai. E pyeta, se si keni vepruar. Ai më tha “i vrasim të gjithë”.
Në këtë kuptim, i vetmi rezultat për këto tensione historike me rrënjë të thella, ishte ndarja në dy shtete. Dhe tani, dy shtetet, duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar, për të përparuar, për të bashkëpunuar me qëllim përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të tyre. Kjo është një sfidë, është një sfidë shumë e vështirë që duhet të kapërcehet. Kujtimet janë ende të freskëta për të dyja palët dhe mendoj se kjo është diçka që nuk mund të bëhet e sforcuar, duhet të vijë natyrshëm”, thotë Clark.
Gjenerali Clark thotë me rastin e këtij përvjetori, se sot është e padrejtë që ka më shumë trysni ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë, por thekson se dy vendet duhet të gjejnë udhën për të bashkëjetuar.
“Mendoj se trysnia ndaj Kosovës nisi gjatë administratës së Presidentit Trump, ku të dërguarit e Shteteve të Bashkuara në Ballkan donin të shënonin një sukses diplomatik. Dhe pikërisht aty nisi trysnia. Tani, me luftën (në Ukrainë), sigurisht që është normale dhe e natyrshme që Perëndimi kërkon ta shohë të zgjidhur këtë çështje, ta shohë Serbinë plotësisht në kampin e Perëndimit dhe të lidhur me Bashkimin Evropian në mënyrën më pozitive të mundshme. Por pikërisht për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës kjo ka pak gjasë që të ndodhë. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë janë të lidhura me atë që ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe këto probleme pasqyrojnë tensionet më të mëdha gjeopolitike në rajon”, thotë ai.
Clark ai thotë se shumë nga qëndrimet e Perëndimit janë të përcaktuara nga ajo që po ndodh mijëra kilometra larg, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Mendoj se procesi do të vazhdojë për një farë kohe dhe mendoj se është e rëndësishme që ky proces të mbahet gjallë dhe të vazhdohet me dialogun. Nëse do të kishim një përparim të rëndësishëm, do të ishte e mrekullueshme, por nuk parashikoj një gjë të tillë. Prandaj, sikurse e thashë, kjo është një çështje dytësore në Evropë dhe në shumë aspekte varet nga ajo që do të ndodhë mes Rusisë dhe Ukrainës”, shton ai.
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...
“Nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt”, Mickoski e quan akt ag...
“Prishtina gjithmonë do të jetë krah Tiranës”, Komuna publik...