25 vjet nga fundi i Serbisë në Kosovë, Hamza: Ishte një rilindje me emocione të përziera e dhimbje të shumta për humbjet që pësuam

10:13 | 11 Qershor 2024
K.B

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza në 25 vjetorin nga tërheqja e forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova, tha se ishte si një rilindje për ne, ndonëse me emocione të përziera e dhimbje të shumta për humbjet që pësuam gjatës luftës.

Hamza me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se sakrifica për liri ishte e pashembullt dhe se heroizmi i burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, ishte i pashoq, shkruan Arbresh.info

Tutje ai shkruan se intervenimi i NATO-s ishte jetik që ne ta fitonim lirinë për të cilën sakrifikuan shumë gjenerata.

Postimi i tij i plotë:

Pas shumë ditëve pa bukë e netëve pa gjumë, pas shumë vrasjeve makabre e plagëve të hapura nga fronti ku luftohej për jetë a vdekje, liria e shumëpritur më në fund erdhi. Ishte 11 qershori i vitit 1999 kur filloi zbatimi i marrëveshjes së Kumanovës dhe forcat e paqeruajtësve të KFOR-it tashmë ishin nisur drejt Kosovës.

Ishte si rilindje për ne, ndonëse me emocione të përziera e dhimbje të shumta për humbjet që pësuam gjatës luftës.

Jemi krenarë që lufta e UÇK-së bëri që SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-s t’i bashkohen kauzës sonë për liri, duke na përkrahur masivisht në ditët më të vështira që po i kalonte populli ynë. Sakrifica për liri ishte e pashembullt. Heroizmi i burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, ishte i pashoq. Ndërsa, intervenimi i NATO-s ishte jetik që ne ta fitonim lirinë për të cilën sakrifikuan shumë gjenerata.

Lavdi të gjithë të rënëve dhe mirënjohje të përjetshme NATO-s, SHBA-së dhe gjithë̈ partnerëve tanë.

LEXO EDHE:

25 vjet nga fundi i Serbisë dhe hyrja e NATO-s në Kosovë

Të ngjashme