24 vjetori i vrasjes së Shaban Manajt, Abdixhiku: Dhimbja mbetet e njëjtë pa dënimin e atyre që kryen këtë akt barbar

11:21 | 23 Korrik 2024
E.G

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka përkujtuar intelektualin dhe veprimtarin Shaban Manaj në 24 vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku ka thënë se avokati Manaj punoi pa ndalur krah Presidentit Rugova, duke mbetur në histori për veprimtarinë e tij të paharrueshme ndërgjenerata, shkruan Arbresh.info.

“23 korriku i vitit 2000 u bë datë e kobshme nga lajmi se veprimtari, luftëtari i palodhur i çështjes kombëtare, avokati i shquar Shaban Manaj, u vra në Kosovën e filleve të lirisë. Si një personalitet i rrallë që dha kontribut për shtetin e Kosovës deri në çlirim, Manaj punoi pa ndalur krah Presidentit Rugova, duke mbetur në histori për veprimtarinë e tij të paharrueshme ndërgjenerata”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se “edhe pas 24 viteve, dhimbja mbetet e njëjtë për familjen Manaj, Lidhjen Demokratike dhe gjithë bashkëpunëtorët e Shaban Manajt pa zbardhjen e motivit dhe rrethanave të vrasjes së tij, si dhe dënimin e atyre që kryen këtë akt barbar”.

“Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Shaban Manaj”, ka pohuar ai. /Arbresh.info/

Të ngjashme