24 persona të lënduar nga mjetet piroteknike

09:12 | 1 Janar 2025
E.H

Një incident i rëndë ka ndodhur pak para ndërrimit të moteve mbrëmë në qytetin e Prizrenit.

Një sasi fishekzjarresh ka shpërthyer. Si pasojë një persona ka pësuar lëndime dhe është nisur për trajtim drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi.

“Rreth orës 21:33 policia ka pranuar një informatë se në rrugën ‘Ahmet Prishtina” kishte ndodhur një shpërthim zjarri nga ndezjet në një pikëshitje të këtyre mjeteve piroteknike. Si pasojë e kësaj ka shpërthyer zjarri. I njëjti është përhapur në të gjitha lokalet ku kanë qenë shitësit ambulantë duke e bërë shitjen e tyre”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se shpërthimi ka shkuar në mënyrë të pakontrolluar.

“Si pasojë e kësaj një person është lënduar. I njëjti është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, tha Gashi, duke shtuar se situata tashmë është nën kontroll dhe që njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë plot 24 raste janë trajtuar në Klinikën Emergjente si shkak i lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike

Shefi i Emergjencës, Agron Çitaku bën të ditur se këto raste janë të moshës mesatare, ndërkaq dy prej tyre janë të moshës së shtyrë.

“Për momentin deri më tani kemi 24 të lajmëruar, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike. Prej tyre një ka qenë në gjendje më të rëndë që ka ardhur nga Prizreni, është duke u punuar në sallë ende, tre i kemi me lëndime në regjionin e syrit, ndërsa të tjerët janë kryesisht janë në ekstremitete”, deklaroi ai.

Para gazetarëve, ai foli edhe për gjendjen e një të lënduari nga shpërthimi i mjeteve piroteknike në Prizren. Sipas tij, gjendja e tij është e rëndë.

“Gjendje shumë e rëndë dhe është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka. Ai fatkeqësisht është gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë shtatë-tetë raste qe janë ndalur në Prizren. Lëndimet kanë qenë të mëdha praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, të kokës dhe fytyrës”, shtoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme