Google ADS

Kolla e mirë ende prezente në Kosovë

10:51 | 25 Prill 2024
R J

Në Kosovë ka rritje të lehtë të rasteve me kollën e mirë, e njohur ndryshe si Pertussis, krahasuar me vitet e fundit.

Sipas profesionistëve shëndetësorë kjo sëmundje ngjitëse prek çdo moshë, por më së shumti fëmijët deri në 1 vjeç.

Mjeku Naim Sveçla ka thënë për Ekonomia Online se aktualisht janë 14 raste të verifikuara me  Kollën e mirë apo Pertussis.

“Në bazë të të dhënave që i kemi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të cilët janë në monitorim të rasteve, janë 14 raste të verifikuara me laborator për Kollën e mirë apo Pertussis. Kemi të bëjmë me një sëmundje bakteriale e cila edhe te njerëzit që janë janë të vaksinuar, bjen niveli i antitrupave, për atë është shumë mirë prindërit të jenë të vetëdijshëm dhe ti bijnë fëmijët ti vaksinojnë sipas kalendarit të vaksinimit që ka hartu ose ka përpilu IKShPK-ja dhe ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Sfeçla.

Ai ka shtuar se më të rrezikuar janë fëmijët e moshës deri në 1 vjeç, pasi sipas tij  nuk e kanë të trashëguar nga nëna mbrojtjen nga kjo sëmundje.

“Reziku ma i madh për kollën e mirë është te fëmijët nën 1 vjeç. Zakonisht këta fëmijë të cilët nuk kanë mbrojtje do me thënë nuk kanë trashëgu nga nëna mbrojtjen kundër Pertussis-it atëherë munden me u infektu, rreziku i madh është në moshën nën 1 vjeç”, ka theksuar Sveçla.

Mënyra më e lehtë për lehtë për parandalimin e kësaj sëmundje është imunizimi ose vaksinimi, ka thënë mes tjerash mjeku familjar i cili edhe ka apeluar te prindërit që ti dërgojnë fëmijët për ti vaksinuar.

Sveçla ka treguar edhe për simptomat e kësaj sëmundje duke theksuar se janë të ngjashme me ato të gripit.

“Simptomat janë të ngjashme me ftohjen apo gripin. Identifikimi te këta fëmijë është problem të bëhet. Në çoftë se kalojnë më shumë se dy javë atëherë e kemi pak më problem për shkak se antibiotikët veprojnë ma ngadalë. Përndryshe zgjidhja e vetme është imunizimi”, ka thënë mjeku Sveçla.

Fushatat kundër vaksinimit dhe refuzimi i prindërve për mbrojtje të fëmijëve tyre, sipas mjekëve do ti rikthejnë sëmundjet e rrezikshme ngjitëse të cilat janë çrrënjosur me vite.

Të ngjashme