Google ADS

21 vjet nga vrasja e Enver Malokut

09:47 | 11 Janar 2020
Arbresh.info

Janë bërë 21 vjet nga vrasja e gazetarit të shquar Enver Maloku.

Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 2 shkurt 1954.

Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve. Maloku për gati gjashtë vjet e udhëhoqi Qendrën për Informim, e cila kreu punë jo vetëm në rrafshin e informimit në Kosovë, po edhe të profilizimit e promovimit të gazetarisë kombëtare e kritike politike.

Ibrahim Rugova dhe Enver Maloku

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh.

Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e huqi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij.

Mesazhi ishte shumë i qartë: kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë. Me meritën e Malokut dhe të kolegëve të tij fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai punoi si kurrë më parë në punë të informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër. Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët tash ishin më shumë dhe, për fat të keq, nuk e huqën cakun. Pak metra prej banesës së tij në përdhesen e një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Sot e kësaj dite nuk janë kapur autorët e vrasjes së tij./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme