Google ADS

2023’ta nisë me 250 persona në listë të pritjes për shërim jashtë Kosovës

11:01 | 15 Prill 2023
A. B.

Numri i qytetarëve që vazhdojnë të kërkojnë shërim jashtë vendit vazhdon të jetë i lartë.

Që nga viti 2022 e deri në mars të këtij viti, 250 persona janë në listë të pritjes që kanë kërkuar shërim jashtë vendit, e vetëm në vitin 2023 kanë aplikuar 229 persona.

Për këtë trajtim jashtë vendit për tre muaj janë ndarë mbi 2 milionë euro.

Kështu thonë në një përgjigje për Arbresh.info nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

“Në vitin 2023 (Janar-Mars), kanë aplikuar 229 pacientë. Në listë të pritjes aktualisht janë rreth 250 pacientë nga viti 2022 dhe 2023. Shuma e aprovuar nga Bordi për TMJIShP brenda kësaj periudhe (Janar- Mars, 2023) është rreth 2.2 milion euro”, thuhet në përgjigje.

Tutje në përgjigje thuhet se fëmijët nën 18 vjeç me sëmundje malinje u mbulohen shpenzimet.

“Në vitin 2022 kanë aplikuar 1099 pacientë. Fondi nuk ka asnjë marrëveshje për trajtimin shëndetësor të pacientëve qoftë brenda apo edhe jashtë vendit.  Vlera financiare është e rregulluar me anë të UA 03/2017 për TMJIShP, neni 9, paragrafi 2, 3, 4 dhe 6, si dhe neni 11, paragrafi 6 (për sëmundjet malinje për pacientët nen moshën 18 vjeç)”, thuhet tutje në përgjigje nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë për Arbresh.info thonë se nuk kanë marrëveshje me ndonjë institucion brenda ose jashtë shtetit që do të u mundësonte personave shërim.

Tutje në përgjigje thuhet se personat kanë të drejt të zgjedhin institucionin shëndetësor ku duan të marrin trajtim e që është në përputhje me rregullat.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrëveshje me spitale për trajtim të pacienteve jashtë Institucioneve Shëndetësore publike (përfshirë këtu edhe Institucionet Shëndetësore jashtë vendit). Pacientet kanë të drejtën e zgjedhjes se institucionit shëndetësor ku duan të marrin trajtim, në përputhje me rregullat të cilat i përcakton Udhëzimi Administrativ për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike dhe bazuar në vendimet qe nxjerrin trupat përmes te cilave zbatohet ky udhëzim”, thonë nga MSh-ja.

Ndryshe, sëmundjet malinje, leukemitë akute dhe operacionet e zemrës për fëmijë, janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat institucionet publike shëndetësore nuk po mund të ofrojnë trajtim brenda vendit./Arbresh.info/Ejona Hyseni/.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme